Analisti njohur nga SHBA paralajmëron rëndë Kosovën: Është alarmi i fundit për shpëtim

  • 20 August 2019 - 07:30
Analisti njohur nga SHBA paralajmëron rëndë Kosovën: Është alarmi i fundit për shpëtim

“Deklarata e ambasadorit britanik, O'Cornell, i cili tha se korrupsioni, nepotizimi dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën, është alarmi i fundit për shpëtim, e qe me urgjencë duhet të mobilizojë shoqërinë dhe popullin për të larguar nga skena politike bandat oligarke e kriminale”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruari O'Cornell ka alarmuar se korrupsioni, nepotizimi dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën.

Image

“Nuk ka kuptim të harxhojmë kohën tonë duke u përpjekur që të ndihmojmë institucionet e Kosovës kur shumica në Kuvendin e Kosovës nuk kujdeset për këtë, dhe kur individët nuk ndjejnë turp për të marrë punë në mënyrë të padrejtë e të cilën ata nuk mund të bëjnë siç duhet. Nepotizmi, kronizmi, korrupsioni dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën. Durimi i miqve të Kosovës po ftohet. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë, por vetëm nëse vendosin të ndëshkojnë ata që përfshihen në këto praktika”, ka thënë O’Connell.

E sipas analistëve politikë, ky është edhe një alarm për Kosovës, i cili paralajmëron se shteti po shkon drejt fundosjes dhe falimentimin, krejt kjo për fajin e pushtetarëve të kriminalizuar.

Duke folur lidhur me këtë, analisti i njohur që jeton dhe vepron në SHBA, Ramiz Bojaj thotë se deklarata e ambasadorit O'Cornell është alarmi i fundit për shpëtim.

“Kosova jo vetëm qe u vodh, u varfërua e u shkatërrua nga bandat e cubave dhe servilët hajdutë pas tyre, por krejt në fund u hodh në pazar edhe territori. Ata të cilët 'luftë' të tyre e kishin pushtetin e paranë, sot e japin shtetin e territorin për të mbrojtur paranë e vjedhur, pushtetin dhe tregun e nëntokës. Deklarata e ambasadorit britanik, O'Cornell, i cili tha se korrupsioni, nepotizimi dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën, është alarmi i fundit për shpëtim, e qe me urgjencë duhet të mobilizojë shoqërinë dhe popullin për të larguar nga skena politike bandat aligarke e kriminale. Kosova, që nga çlirimi i vendit, 20 vjet më parë, përjetoi tronditjen e madhe politike, pikërisht nga udhëheqësit e dalë nga mali, të cilët, nga nëntoka kriminale kapën pushtetin dhe vendosën bazat e një sistemi klientelist oligark, nepotist e seksit”, thotë Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, Kosova është e kapur nga klanet kriminale duke u bërë pronë e një grupi të egër mafiozësh.

“Pas kapjes së shtetit, filloi kalbja e segmenteve më vitalë të tij, sidomos sistemi i drejtësisë dhe ekonomisë, me ç’rast shteti u bë pronë e një grupi të egër mafiozësh. Klani i SHIK-ut, i Prontos e i shumë klaneve tjera, janë pasqyrë e sundimit të familjeve kriminale në pushtetin e oligarkëve, të cilët, përmes sundimit despotik, ndërtuan strukturat e veta kontrolluese, mbi çdo segment dhe në të gjithë resorët e shtetit, si në polici, drejtësi, administratë, makro korporata etj., përmes të cilave kontrolluan privatizimin, tenderomaninë, investimet dhe përgjithësisht buxhetin e paranë. Për ta mbajtur nën kontroll këtë rrjetë kriminale, strukturat politike kanë ndërtuar klientelizmin, klanizimin, nepotizmin, huliganizmit, seksualizmin për të mbajtur nën kontroll pasurinë e vjedhur dhe pushtetin e kapur”, shton Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, përmes klaneve të tyre e nepotizmit familjar, këta mbajnë gjallë piramidat kriminale, të cilat po e fundosin e shkatërrojnë përfundimisht shtetin e Kosovës.

“Vetëm rasti i ngritjes së Gjykatës Speciale, pas të cilës doli hapur ideja serbe për shkëmbim territoresh, tregon qartë se këto banda japin gjithçka, tokë e shtetin, Trepçën e minierat, vetëm e vetëm që të mos përballën me drejtësi. Këta duan gjykatës e prokurorë të emëruar nga pronarët e shtetit mafioz, nga klanet e Prontos dhe klaneve tjera, në mënyrë që kokat e krimit në Kosovë, gjithmonë të dalin "faqebardhë". Raste tjera si ai i gylenistëve, ku u dënuan policët e thjeshtë, e jo kokat e udhëheqjes së skandalit, pastaj largimi i britanikëve dhe SHBA-së nga Bordi i Agjencisë së Pronës, largimi i investitorëve të huaj për shkak të haraçit e të zhvatjes etj., tregon se shteti i kapur nga kapot e krimit është në rrezik të madh”.

Bojaj deklaron se kjo tregon se pushtetarët e kriminalizuar po e çojnë shtetin në falimentin total deri në mosekzistencë.

“Miqtë tanë ndërkombëtarë po japin konstatime të drejta e të sinqerta, duke na treguar haptas së pushtetarët hajdutë e oligarkë të pangopur, po e fundosin Republikën e re. Kosova është në udhëkryq të madh: Të fundos hajnat dhe kokat e kapove të krimit, ose të fundoset vet si shtet. Pas falimentimit të shtetit, Kosova do të copëtohej mes bandave të dyta e të treta, të Serbisë e Shqipërisë, për tu servuar njëra si 'Serbi e paqes' dhe tjetra si 'Shqipëri e madhe'. Ky është qëllimi i bandave të Kosovës, Shqipërisë e Serbisë”, thekson Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Bojaj shprehet se shqiptarët duhet të jenë të vendosur më shumë se kurrë, për të çliruar vendin nga huliganët, cubat e mafiozët kriminelë.

“Vetëm kështu mund të shpëtojnë Republikën e Kosovës. Këtë copë shtet për të cilin u flijuan breza të tërë, por qe e ndërtuam edhe falë aleatëve tanë ndërkombëtarë. Populli ndërtoi alenca shekullore me botën demokratike siç janë SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermaninë etj, më të cilët kemi shprehur synimet tona si shoqëri e si shtet euroatlantik. Ndryshe nga kjo, mafiozët tanë, jo vetëm qe lënduan marrëdhëniet tona me miqtë më të sinqertë ndërkombëtarë, por ndërtuan aleanca tjera me lindorët, duke forcuar edhe bandat mafioze të nëntokës, përmes të cilave po e vrasin shtetin tonë, por edhe paqen dhe sigurinë këtu”, përfundon për “Kosova Sot Online”, analisti i njohur që jeton dhe vepron në SHBA, Ramiz Bojaj.

(Kosova Sot Online)