Analisti i njohur tregon pazarin e Devollëve me pushtetarët kosovarë

  • 20 August 2019 - 07:40
Analisti i njohur tregon pazarin e Devollëve me pushtetarët kosovarë

“Siç duket Devollët kanë ndonjë marrëveshje të dakorduar, që edhe fitimin ta ndajnë me pushtetarët kosovar, skandal ky që mund të ndodhë vetëm në Kosovë”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse kishte kërkesa dhe kritika të ashpra nga ambasadat e huaja në Kosovë, si dhe nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për monopolin në homologimin e veturave nga Blerim Devolli, qeveria e Kosovës nuk ndërmori asnjë hap lidhur me kërkesat e ndërkombëtarëve për ndaljen sa më parë të këtij monopoli. Të njëjtën gjë po e vazhdon edhe tani , kur tashmë Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës dhe tashmë qeveria konsiderohet si qeveri në dorëheqje.

Image

 

Sipas analistëve politikë, kjo qeveri në mënyrë të heshtur po ua vazhdon Devollëve monopolin në homologimin e veturave, duke heshtur përballë kërkesave dhe reagimeve të ashpra të ndërkombëtarëve. Madje ata thonë se në këtë mënyrë, pushtetarët kosovarë po e ndajnë fitimin me Devollët.

“Përkundër faktit se pas miratimit të Rezolutës nga Kuvendi i Kosovës për ndalimin e monopolit në fushën e homologimit, Zyra e BE-së në Prishtinë,pati kërkuar që menjëherë të hiqet monopoli në homologim,siç shihet në praktikë, monopoli i mafio-oligarkëve Devolli në homologim, po vazhdon edhe më tutje,në heshtje.

 

Madje jo vetëm monopoli i Devollëve në homologim, por edhe mosveprimi i qeverisë dhe institucioneve kosovare përballë kërkesave dhe reagimeve te ashpra te ndërkombëtarëve, po vazhdon të mbulohet me heshtje”, thotë analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, kjo dëshmon qartë se Devollët e ndajnë fitimin me pushtetarët kosovarë.

“Kjo dëshmon katërçipërisht se në aferën e homologimit, jo vetëm se ishin të përzier që nga fillimi e tërë kasta politike aktuale, politikbërësit kryesor të shtetit dhe të gjitha qeveritë e deritanishme të vendit, por siç duket Devollët kanë ndonjë marrëveshje të dakorduar, që edhe fitimin ta ndajnë me pushtetarët kosovar, skandal ky që mund të ndodhë vetëm në Kosovë”, përfundon Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)