Amazona po digjet për shkak se njerëzit po hanë shumë mish

  • 24 gusht 2019 - 13:43
Amazona po digjet për shkak se njerëzit po hanë shumë mish

Përderisa mijëra zjarre po e bëjnë Amazonën shkrumb e hi dhe kjo fatkeqësi mund të cilësohet edhe si krizë ndërkombëtare, e tërë kjo gjende vështirë se mund të quhet aksident.

Shumica e këtyre zjarreve janë shkaktuar nga fermerët që duan ta rrisin sipërfaqen e punueshme për mbajtjen e bagëtive. Dukuria e tillë është në rritje e sipër dhe po përkrahet edhe nga presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, i cili ka pikëpamje populiste dhe është mbështetës i tregtisë.

Ndonëse këto veprime mund të duken si punë e zakonshme për fermerët brazilianë që rrisin gjedhe, pjesa tjetër e botës po e vëzhgon situatën e tmerruar.

Prandaj, për ata që po mendojnë se si mund të ndihmojnë për t’i ruajtur pyjet e njohura si “mushkëritë e planetit” për shkak se prodhojnë 20 për qind të oksigjenit në botë, përgjigjja mund të jetë shumë e thjeshtë. Hani më pak mish.

Kjo ide është nxitur nga Finlanda. Të premten, ministri i financave i këtij shteti, Mika Lintilä, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta rishikojë urgjentisht mundësinë e ndalimit të importit të mishit të gjedheve nga Brazili për shkak të zjarreve në Amazonë.

Brazili është shteti me eksportin më të madh të mishit të gjedheve në botë me rreth 20 për qind të sasisë botërore. Kjo shifër mund të rritet në të ardhmen. Vetëm vitin e kaluar, Brazili ka eksportuar 1.64 milionë tonë mish gjedhi për 6.57 miliardë dollarë.

Rritja e kësaj industrie është nxitur kryesisht nga shtimi i kërkesave nga Azia, më së shumti nga Kina dhe Hong Kongu. Këto shtete kanë importuar 44 për qind të mishit të Brazilit më 2018, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot Online)