Parashikimi: Ja ‘lufta’ kryesore në zgjedhjet e 6 tetorit, tronditet PDK-ja...

  • 28 August 2019 - 07:36
Parashikimi: Ja ‘lufta’ kryesore në zgjedhjet e 6 tetorit, tronditet PDK-ja...

‘Lufta’ kryesore për postin e Kryeministrit të Kosovës pritet të jetë ajo mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Por ja çfarë do të ndodhë me Kadri Veselin, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn...

Më 6 tetor do të zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë dhe partitë politike dhe koalicionet zgjedhore tashmë kanë vendosur se kush do të jenë kandidatët e tyre për kryeministër.

Image

Lidhja Demokratike ka vendosur që të garojë me Vjosa Osmanin, e cila do të jetë e para grua që do të synoj postin e kryeministrit. Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me liderin e saj, Albin Kurti. Të njëjtën gjë do ta bëjë edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka vendosur për kandidat, Kadri Veselin.

Ndërsa, koalicioni AAK-PSD do të garojë me Ramush Haradinajn, kurse ai Nisma-AKR me Fatmir Limajn.

E për kandidaturat e deritashme, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, Florim Zeqa.

Sipas tij, lufta kryesore do të zhvillohet mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit.

“Pas zyrtarizimit të 5 kandidaturave për kryeministër të Kosovës, vetëm 2 prej tyre shihen si më serioze për marrjen e postit të kryeministrit. Nëse partitë e mëdha shkojnë kështu siç janë të ndara në zgjedhje, atëherë lufta kryesore në zgjedhjet e 6 tetorit do të zhvillohet në mes LDK-së dhe LVV-së, përkatësisht në mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Por, sipas Zeqës asnjëri nga kandidatët nuk do të arrij të fitojmë 51 % të votave.

“Mirëpo të vetme në zgjedhje, as njëra dhe as tjetra kandidaturë nuk do të arrijnë të sigurojnë 51 përqind të votave të elektoratit. Kështu që këto dy subjekte do të jenë të detyruara përsëri të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për arritjen e qëllimit final për marrjen e postit të kryeministrit të vendit. Kandidatin e tretë në garë mund ta sjellë vetëm kombinimi i 5 minutave para orës 12-të i PDK-së me dy koalicionet paraprake (AAK-PSD dhe NISMA-AKR). Arritja eventuale e një marrëveshje të tillë do ta fuste në garë edhe Kadri Veselin apo koalicionin PAN 2”, shton Zeqa.

Më tej, Zeqa thotë se koalicioni LDK-LVV është e vetmja mundësi për dërgimin e PDK-së në opozitë dhe jo vetëm.

“Një koalicion i tillë, në minutat e fundit do ta determinoj bashkimin e LDK-së me LVV-në, gjegjësisht do ta imponoj arritjen e kompromisit për postin e kryeministrit në mes këtyre dy subjekteve politike., mbase edhe shpëtimin e Kosovës nga fundosja dhe zhbërja fizike e shtetit. Koalicioni LDK-LVV, edhe pse kombinim jo shumë natyral dhe i përshtatshëm shkaku i dallimeve konceptuale dhe programore, është e vetmja mundësi për dërgimin e PDK-së në opozitë dhe jo vetëm”, shprehet Zeqa për “Kosova Sot Online”.

“Koalicioni LDK-LVV, përveçse zgjidhja më e mirë e mundshme për rrethanat e kohës, shihet si e vetmja shpresë për nxjerrjen e vendit nga kthetrat e uzurpatorëve, si dhe e vetmja mundësi reale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, përfundon analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)