Shoqata e Bankave dënon grabitjen në Shtime, kërkon zbardhje të rastit

  • 02 September 2019 - 11:13
Shoqata e Bankave dënon grabitjen në Shtime, kërkon zbardhje të rastit

Shoqata e Bankave të Kosovës, ka dënuar grabitjen me armë zjarri në një bankë në Shtime. Rasti ka ndodhur sot rreth orës 08:15, ndërsa ende nuk dihet shuma e parave të grabitura.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, ata kanë kërkuar nga organet e rendit që sa më parë të sjellin para drejtësisë kryerësit.

“Shoqata e Bankave të Kosovës ka dënuar fuqishëm aktin e sotëm të grabitjes me armë zjarri në një bankë në Shtime, me ç’rast kërkon nga organet e rendit që sa më parë t’i sjellin para drejtësisë kryersit e këtij akti të shëmtuar kriminal, të cilët nën kërcënimin e armës, rrezikuan sigurinë e punëtorëve, qytetarëve dhe prestarëve të policisë”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, grupet e tilla kriminale, të cilat synojnë të dëmtojnë bizneset e Kosovës, e në veçanti bankat e që rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve dhe dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës, duhet të identifikohen sa më parë dhe të njëjtit të marrin dënimin e merituar.

Shoqata e Bankave të Kosovës, ka njoftuar se, me qëllim të ngritjes së sigurisë në sektorin bankar, në muajin shkurt të këtij viti, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrin e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe Bankën Qendrore të Kosovës, me qëllim avancimin e bashkëpunimit për ngritjen e nivelit të sigurisë në sektorin bankar në mënyrë që bankat, personeli i tyre dhe qytetarët të kenë një ambient sa më të sigurt për zhvillimin e aktivitetit të tyre.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 08:15, ndërsa ende nuk dihet shuma e parave të grabitura.

“Sot rreth orës 08:15, në rrugën “Tahir Sinani” ka ndodhur një rast grabitje me armë kur në lokalet e bankës kanë hyrë katër persona të armatosur me armë të gjata dhe nën kërcënimin e armës, nga punëtorja kanë kërkuar që t’i dorëzojë paratë nga arka, shuma nuk dihet për momentin. Me këtë rast ka pasur edhe shkrepje arme në ajër nga ana e një të dyshuari por nuk ka persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

(Kosova Sot Online)