Alarmon profesori universitar: Ja çka do të provojnë trojka Thaçi, Vuçiq dhe Rama

  • 03 September 2019 - 07:35
Alarmon profesori universitar: Ja çka do të provojnë trojka Thaçi, Vuçiq dhe Rama

Kërkohet që SHBA të jetë garantuese e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, pasi Thaçi, Vuçiq dhe Rama...

"Foreign Policy" ka shkruar se Matthew Palmer, pritet që të jetë i dërguari special në Ballkan pjesë e një përpjekje për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin që ta përfundojë çështjen më të diskutueshme të Evropës jug-lindore.

Image

Por çfarë mund t’i sjellë Kosovës emërimi i Palmer si i dërguar special nga SHBA?

Lidhur me këtë, për “Kosova Sot Online” ka folur profesori universitar, Fadil Maloku.

Maloku tha se nuk është fjala këtu për dialog, por për negociata pra, për kompromise eventuale që Kosova do të duhej t’ia bëjë Serbisë.

"E ai kompromis, pak a shume po prejudikohet dhe reflektohet përmes idesë së “korrigjimit”, të cilën provoi dhe sërish do provojnë ta “administrojnë” trojka Thaçi&Vuçiq&Rama. Thënë me thjeshte. ShBA-ja duhet të mbahet prezentë ne këtë finale të finaleve edhe për dy arsye tjera fondamentale kujtojë unë", tha profesor Maloku për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Maloku ka treguar edhe arsyet pse SHBA duhet të jëtë prezentë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Arsyeja e parë, që ka të bëjë me të qenit e saj kumbare fillestar dhe kryesor i krejt projektit të pavarësisë dhe procesit të shtendertimit, sipas tij, arsyeja e dytë ka të bëjë me interesat gjeostrategjike, që ajo i ka në këtë pjesë të botës, e që fatmirësisht janë në koherencë të plotë me synimet tona nacionale e shtetndertuese. Kjo finale e finaleve, midis tjerash Kosovës do i sillte, përveç sigurisë dhe stabilitetit rajonal; rrumbullakimin e procesit te shtendertimit (e që ndërlidhet padyshim me proceset i integruese europiane) dhe instalimin e demokracisë, dhe sidomos shtimin e sovranitetit ", shtoi Maloku për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, kjo varet nga dy komponentë, interesave afatgjata të miqve dhe mënyrës së ofertave argumentuese që do i bënin elitat lokale kosovare.

"Natyrisht, dhe akti dhe fakti i prezencës ruse në negociata padyshim që do ishte një handikap i procesit të përmbylljes së kësaj finale shqiptaro-serbe", përfundoi Maloku për "Kosova Sot Online".

Ndryshe, Departamenti amerikan i Shtetit njofton se si Përfaqësues i Posaçëm, zoti Palmer do të shkojë në Slloveni duke filluar nga 1 shtatori për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit. Ai gjithashtu do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në takimin e Drejtorëve të Quint-it për Ballkanin në Bruksel dhe do të marrë pjesë në takime në Vjenë dhe Podgoricë, nga 4 deri më 10 shtator.

(Kosova Sot Online)