Skandali i radhës, LDK dhe Vetëvendosje paralajmërojnë Hashim Thaçin

  • 03 September 2019 - 15:59
Skandali i radhës, LDK dhe Vetëvendosje paralajmërojnë Hashim Thaçin

Edhe në këto zgjedhje, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dalë në terren me figurat e fuqishme të Partisë Demokratike të Kosovës...

Tashmë po i afrohemi ditës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të mbahen me 6 tetor. Edhe pse fushata zgjedhore ende nuk ka nisur zyrtarisht, partitë politike kanë nisur fushatën e tyre.

Tashmë pjesë e fushatës zgjedhore është bërë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është parë në disa foto me ish-bashkëpartiakët të tij nga PDK, ku sipas analistëve dhe ish deputetëve të parlamentit të Kosovës, Thaçi edhe njëherë po dëshmon se ai nuk është presidenti i Kosovës, por është në shërbim të ish partisë së tij, PDK-së. 

Ish-deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Drita Millaku, për “Kosova Sot Online”, tha se skandalet e presidentit Thaçi janë të vazhdueshme dhe të pandalshme.

Image
Drita Millaku

"Ndihma e hapur në fushatë zgjedhore partisë së tij është shkelje kushtetuese. Me këtë Thaçi e vërtetojë se nuk është president i vendit por vetëm i klanit të tij . PDK dhe Hashim Thaçi nuk zgjedhin metoda për të vazhduar sundimin", tha Millaku për "Kosova Sot Online”.

Millaku ka edhe një thirrje për kosovarët për zgjedhjet e 6 tetorit që do të mbahen si rezultat i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

“Është koha e fundit që populli të zgjohet dhe të ndëshkojë këtë grup që në vazhdimësi ka bërë shkelje ligjore. Votimi për Vetëvendosjen është garanci se PDK dhe Hashim Thaçi do të jene pjesë e së shkuarës”, deklaroi Millaku për “Kosova Sot Online”.

Gjithashtu edhe zyrtari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bajram Gecaj është shprehur se tanimë është bërë rutinë që Presidenti të bëj shkelje të tilla.

Image
Bajram Gecaj

"Një njëri i cili i vë në dyshim kufijtë e vendit, shkeljet e natyrës morale apo politike për të tingëllojnë të zakonshme", tha Gecaj për “Kosova Sot Online”.

Ndërsa, dy partitë më të mëdha në vend, LDK dhe Vetëvendosje kanë paralajmëruar se në rast që marrin qeverinë do ta shkarkojnë Thaçin nga posti i presidentit të vendit.

Kujtojmë se me Kushtetutë të bërit fushatë nga ana e Presidentit është e ndaluar, përderisa një President përfaqëson popullin dhe nuk duhet të jetë pjesë e asnjë partie.

“Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 83 të Kushtetutës së Repbulikës së Kosovës.

Ndryshe kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillimin e fushatës në Kosovë. Këto zgjedhje të parakohshme erdhën pas vendimit që morri ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, këtë vendim e morri pas një thirrje nga Specialja si i dyshuar për krime lufte.

(Kosova Sot Online)