Listat e kandidatëve për deputetë, flet politologu i njohur

  • 05 September 2019 - 15:57
Listat e kandidatëve për deputetë, flet politologu i njohur

Kur kanë mbetur edhe dy ditë afat për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë, partitë politike ende nuk i kanë bërë publike emrat me të cilët synojnë t’i fitojnë votat në zgjedhjet e 6 tetorit.

E lidhur me vonesat për publikimin e listave me kandidatët për deputetë nga partitë politike, “Kosova Sot Online” ka folur me politologun e njohur, Ramush Tahiri.

Ai ka shpjeguar procedurën e regjistrimit në KQZ dhe numrin e kandidatëve që duhet të përmbajë një listë zgjedhore.

“Subjektet politike, si dhe koalicionet parazgjedhore që marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë me 6 tetor, paraqiten e regjistrohen në Komisionin Qendror Zgjedhor dhe i paraqesin edhe listat me emrat e kandidateve për deputet. Maksimalisht një listë mund të përmbajë 110 emra, pra dhjetë për qind me shumë se sa janë vendet për të cilat zgjidhen në Kuvendin e Kosovës jashtë vendeve të garantuara për deputetët e pakicave kombëtare, ndërsa minimalisht gjashtë emra në listë sa është minimumi i duhur ligjor për të formuar një Grup parlamentar të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës", tha për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Ramush Tahiri. 

Sipas tij, kjo paraqitje dhe kjo listë dorëzohet në KQZ në afatin ligjor të paraparë me rregullore, në mënyrë që me kohë të mund të shtypen formularët dhe materiali sensitiv.

"Çështja e renditjes e numrave dhe kush është në listë dhe nga cila parti e koalicionit, është çështje e brendshme ekskluzive e partisë, subjektit apo koalicionit parazgjedhor" deklaroi Tahiri për "Kosova Sot Online".

Tutje, ai potencoi se pakënaqësitë individuale mbesin tek subjekti politik.

"Të gjitha kriteret e parametrat dhe kënaqësitë apo pakënaqësitë individuale mbesin në kuadër të subjektit politik apo koalicionit parazgjedhor, dhe nuk duhet të kenë asnjë ndikim ligjor as tjetër jashtë kësaj", ka përfunduar Tahiri për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)