Vjen thirrja nga Amerika: Ja për çka duhet t’i kërkojë llogari Thaçit qeveria e re

  • 06 September 2019 - 07:26
Vjen thirrja nga Amerika: Ja për çka duhet t’i kërkojë llogari Thaçit qeveria e re

Qëndrim i fuqishëm dhe i vendosur i Gjermanisë për ruajtjen e paqes ballkanike, është edhe një inkurajim plus për qeverinë e re, e cila duhet të ndërtojë strategjinë e veprimit dhe të...

Analisti politik, Ramiz Bojaj, duke komentuar qëndrimin e fundit të diplomacisë gjermane për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të kufijve ekzistues, pa ndryshimet dhe shkëmbimet e përfolura të territoreve, thotë se kjo konsistencë gjermane që po mbështetet edhe nga SHBA-ja, qëllimin kryesor e ka ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, të fituar me shumë mundë që duhet të ruhet e të kultivohet.

Image
Ramiz Bojaj

“Kufijtë kanë mbyllur luftërat dhe konfliktet në rajonin tonë, ndërsa prekja e tyre është parantezë e rikthimit të luftës. Mos ndryshimi i kufijve është qëndrim tejet parimor por edhe esencial për paqen dhe stabilitetin në rajon. Pra, diplomacia gjermane më qëndrimin e saj për marrëveshjen finale të Kosovës me Serbinë mbetet avokati më i fuqishëm evropian në kundërshtimin e idesë kriminale për shkëmbimin e territoreve. Shkëmbimi i territoreve nuk garanton paqe, por sjellë telashe të reja, konflikte, lëvizje popullsish, acarim e luftëra të reja, jo vetëm në rajonin tonë”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Pra sipas Bojajt, pikërisht kufijtë janë ata që e ndajnë paqen nga lufta, kurse prekja në kufij është prekje në ashkën e konflikteve, dhe kjo nuk i konvenon Evropës dhe botës së civilizuar demokratike.

“Evropa është lodhur me konfliktet e luftërat ballkanike, andaj deputeti i CDU-së, Peter Beyer me të drejtë ka mbrojtur idenë e mos ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë. Lëvizja e kufijve ishte ide e Millosheviqit, për të zgjeruar kufijtë e Serbisë së madhe, në kontekst të të cilin ndodhën shumë masakra, dëbime spastrime e gjenocid. Z. Beyer duke mbrojtur pa cënueshmërinë territoriale të Kosovës, mbrojti parimin bazë të paqes e stabilitetit të rajonit”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Ramiz Bojajt, deklarimi deputetit Beyer se “Jemi të qëndrimit që Kosova të jetë ashtu siç është, pa ndryshim të kufijve”, nuk ishte vetëm një fjali shtypi, por është platformë e paqes me të cilën duhet të shërbehet edhe Qeverisa e re e Kosovës.

“Qëndrim i fuqishëm e i vendosur i Gjermanisë, për ruajtjen e paqes ballkanike, është edhe një inkurajim plus për qeverinë e re, e cila duhet të ndërtojë strategjinë e veprimit dhe të kërkon llogaridhënie nga presidenti Thaçi për përpjekjen në tentativë të rrezikimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës”, tha për “Kosova Sot Online”, analisti nga Amerika, Ramiz Bojaj.

Ai thotë se duke shkelur mbi integritetin territorial, sovranitetin dhe Kushtetutën, ideatorët e shkëmbimit të territoreve mohuan gjithë të arriturat 20 vjeçare të paqes në Kosovë, dhe hynë në aventura të reja të luftës, por kjo ide po kundërshtohet nga demokracitë e zhvilluara.

“Paqja nuk mund të ndërtohet me mendje kriminale. Andaj është koha qe të hiqen kriminelët e të mbetet paqja. Ne duhet të dëshmojmë bindshëm dhe me vendosmëri se lufta jonë ishte për ndërtimin e paqes, liria jonë është paqja, politika jonë është paqja, marrëveshjet me fqinjët janë paqja, e tashmja dhe e ardhmja jonë janë paqja. E këtë paqe e garanton shteti unik i Kosovës bashkë më miqtë tanë ndërkombëtarë, Gjermaninë, Britaninë e madhe, SHBA-në dhe me gjithë botën demokratike globale”, përfundoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)