Zgjedhjet e 6 tetorit, kjo është thirrja për kosovarët: Ja kush duhet ta marrë dënimin

  • 08 September 2019 - 19:42
Zgjedhjet e 6 tetorit, kjo është thirrja për kosovarët: Ja kush duhet ta marrë dënimin

Ish kreu i Agjencionit Kundër Korrupsion të Kosovës, ka një thirrje për kosovarët, të cilët do tu drejtohen kutive të votimit më 6 tetor...

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, të cilët e kanë përcjellë me kujdes dështimin e të gjitha qeverive të deritanishme për të ndërtuar një drejtësi të pa varur dhe të pa ndikuar nga politike, kërkojnë nga qytetarët që të mos i marrin seriozisht zotimet e atyre partive politike që ishin deri sot në pushtet e që tani në fushatë po premtojnë drejtësi të pa varur, luftë kundër krimit e korrupsionit dhe kundër nepotizmit.

Image
Hasan Preteni

Ish kreu i Agjencionit Kundër Korrupsion të Kosovës (AKK), Hasan Preteni thotë se të gjithë ata që qeverisën deri më tani, dhe që po pretendojnë përsëri të qeverisin në mandatin e radhës, janë duke e mashtruar popullin me premtimin se tani do ta bëjnë si duhet shtetin e së drejtës dhe do të tregohen të ashpër në luftimin e të gjitha dukurive negative.

“Ata që deri sot ë kishin kapur shtetin dhe sistemin e drejtësisë, nuk mundë të ndërrojnë mentalitetin e tyre të veprimit ndryshe, ashtu sikur që po premtojnë, prandaj qytetari duhet t’i ndëshkoj me votë të tillët, pasi tani është shansi më i mirë për t’i kujtuar në keq qeverisje dhe për t’i ndëshkuar ata. Vetëm laikët- debilët dhe injorantët mundë të ju besojnë këtyre ish politikanëve se do të ndërrojnë diçka, nuk ju besohet atyre”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, ata kanë qenë të vetëdijshëm për abuzimet që janë bërë në të kaluarën dhe nuk kanë vepruar, prandaj këtë nuk mundë ta bëjnë të tillët që deri më tash i kanë mbyllur sytë para krimit e korrupsionit, ose kanë qenë pjesë e kësaj të keqe.

“Kanë pasur shumë shanse që të reflektojnë, e tani është hipokrizi nëse ju besohet këtyre që ishin në pushtet se tani e tutje do të ndryshojnë. Atyre që tradhtojnë nuk duhet falur, nëse i fal ata prapë do të përsërisin gabimin. Nuk ju falet, të gjithë ata që kanë qenë në pushtet kanë pasur kohë të reflektojnë. Pse nuk reflektuan kur e patën shansin, pse të ju besohet tani. Qytetar vetëdijesohuni, jo votën atyre që ishin në pushtet deri tani, janë keqbërës,hipokrit dhe të pa besë. Votoni ata që nuk janë të sprovuar”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)