Vjen alarmi i frikshëm për koalicionin e ri pas zgjedhor: Po përgatitet “Kali i Trojës”...

  • 09 September 2019 - 07:27
Vjen alarmi i frikshëm për koalicionin e ri pas zgjedhor: Po përgatitet “Kali i Trojës”...

Partitë e vogla në Kosovë e kanë dëshmuar që janë shumë të rrezikshme. Kanë shërbyer si parti satelite për partitë e mëdha. Me një deputet të ngelur në fund, ka arritur të marr 4-5 ministri...

Edhe pse duket që PDK-ja në këto zgjedhje po mbetet subjekti politik më i izoluar nga shumica e partive politike, dhe që po shkon rrugës së sigurt të mbetjes në opozitë, analistët politikë përsëri nuk e përjashtojnë rrezikun që në një moment të caktuar, qoftë edhe në fazën pas zgjedhore, PDK si ish flamurtare e PAN-it, i përdorë të gjitha subjektet e vogla politike për të lëvizur në një pozitë tjetër dhe për të riaktivizuar Qeverinë e PANI-2 me timonier PDK-në dhe Kadri Veselin.

Image
Faik Krasniqi

Këtë rrezik serioz e paralajmëron analisti, Faik Krasniqi, sipas të cilit partitë e vogla politikë po shërbejnë si “Kali i Trojës” për ta fituar betejën pas zgjedhore.

“Partitë e vogla në Kosovë e kanë dëshmuar që janë shumë të rrezikshme. Kanë shërbyer si parti satelite për partitë e mëdha, por që kanë përfituar shumë edhe pse të vogla. Kemi parë parti të vogla që me një deputet të ngelur në fund, ka arritur të marr 4-5 ministri”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Krasniqi ka përmendur edhe rastin e Dardan Gashit, i cili edhe pse pa parti, falë ndikimit të vet në grupe të caktuara të interesit, arriti të marr një ministri dhe ishte zv-kryeministër.

“Makinacione të tilla kriminale ndodhin vetëm në Kosovë ku politika është e lidhur skajshmërisht me krimin e organizuar. Këto idiotësira ndodhin vetëm në Kosovë. Kjo tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë këto parti të vogla për pushtet. Prandaj unë shprehë prapë dyshimin dhe shqetësimin se edhe pas këtyre zgjedhjeve partitë e vogla mund të shërbejnë si “Kali Troje” në krijimin e Qeverisë së re”, përfundoi Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)