Vrasjet tronditin Kosovën, ja shifra alarmante e armëve pa leje

  • 10 September 2019 - 16:51
Vrasjet tronditin Kosovën, ja shifra alarmante e armëve pa leje

Në bazë të nenit 374, të Kodit Penal, parashihet dënimi me gjobë prej 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet për këdo që mbanë armë pa leje...

Gjatë javës së shkuar, Kosova u trondit nga konflikti me armë që ndodhi në lagjen “Mati 1”, ku si pasojë e të shtënave dy persona humbën jetën, ndërsa 2 të tjerë mbetën të plagosur rëndë.

E gjithë kjo, sipas dyshimeve ndodhi për një copë tretuar, shkak ky që sipas policisë dyshohet se nisi gjithë konfliktin në mes dy familjeve në Prishtinë. 

Si kjo ngjarje në Kosovë ndodhin shpesh, dhe shpeshherë dëgjojmë se “mexha” ua merr jetën qytetarëve të Kosovës.

Sipas analistëve, siguria në Kosovë është çdo ditë e më shumë në rrezik dhe armëmbajtja pa leje, neglizhenca nga Prokuroria dhe Policia, dosjet të cilat edhe i ka mbuluar pluhuri, shpeshherë qytetarët mundohen t’i zgjidhin problemet e tyre vet dhe përfundojnë edhe me fatalitet.

E lidhur me këtë temë, për “Kosova Sot Online”, foli njohësi i sigurisë, Drizan Shala, sipas të cilit, edhe pse Qeveria e Kosovës, përkatësisht MPB-ja ka krijuar një fushatë ku është tentuar që të legalizoj armët të cilat gjenden ne duart e qytetarëve, edhe 250.000 armë vazhdojnë të jenë në duart e kosovarëve.

Image
Drizan Shala

“Sipas shifrave zyrtare llogaritet që rreth 250.000 armë dhe që potencialisht mund të cenojnë sigurinë e përgjithshme të qytetareve të Kosovës”, tha Shala për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, rastet e fundit që kanë ndodhur janë alarmante.

“Sa i përket rasteve të fundit që janë shfaq, kjo është alarmante, sepse përpos që po kemi humbje të jetrave po e pasqyron që gjykata me fushëveprimi civil ka dështuar në zgjedhjen e problemeve pronësore që qytetarët e Kosovës kanë që nga paslufta”, deklaroi Shala për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Shala tha duhet të hartohet strategjia për dënimin e armëmbajtjes pa leje.

“Policia, Prokuroria dhe Gjykata janë hallka e cila duhet që të hartojë një strategji mbi fuqizimin e dënimeve me karakter të armëmbajtjes pa leje”, përfundoi Shala për “Kosova Sot Online”. 

Poashtu, kujtojmë se edhe sot kanë vazhduar përleshjet me armë, ku nga të shtënat janë plagosur dy persona në raste të ndara, njëri në Prishtinë, e tjetri në Pejë.

Ndryshe, zbatimi i nenit 374, të Kodit Penal, në bazë të së cilit parashihet dënimi me gjobë prej 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet për këdo që mbanë armë pa leje, si duket nuk po funksionon, pasi që shpesh vrasjet që po ndodhin në Kosovë, janë me armë pa leje.

(Kosova Sot Online)