Parashikimi: Ky është fituesi i zgjedhjeve dhe koalicioni i ri paszgjedhor

  • 11 September 2019 - 07:35
Parashikimi: Ky është fituesi i zgjedhjeve dhe koalicioni i ri paszgjedhor

Nëse LDK i fiton zgjedhjet me Vjosa Osmanin, do ta kishte një koalicion LDK-LVV, por frika që garda e vjetër....

Kosova është mësuar të ketë bllokime në formimin e qeverive në të kaluarën, ku përveç në vonesat e formimit të Qeverisë, karakteristik tjetër që e ka skena politike kosovare, është edhe mos përfundimi i mandatit kushtetues katër vjeçar të asnjë qeverie.

Image
Faik Kasniqi

Por a mund të përsëritet kriza 6 mujore si ajo në vitin 2014?

Lidhur me këtë, për "Kosova Sot" foli analisti politik, Faik Krasniqi.

"Nëse LVV del e para në zgjedhje, atëherë pres një koalicion me LDK-në dhe anasjelltas. Por në rast se edhe PDK del e para, atëherë nuk pres asnjë krizë për krijimin e Qeverisë, sepse vetëm do të ketë rritje të pazarit nga partitë e tjera, gjë të cilën PDK është e gatshme ta bëj", tha Krasniqi për "Kosova Sot Online".

Tutje, Krasniqi ka folur edhe për fituesin e këtyre zgjedhjeve.

"Si fituese të këtyre zgjedhjeve e shoh LVV për shumë arsye. LVV kurrë s'ka qenë në pushtet. Kosova është në një gjendje të rëndë në çdo aspekt. Vendi po zbrazet dita-ditës. Njerëzit si shpëtim të vetëm e shohin këtë parti. Por edhe LDK me Vjosa Osmanin është një kandidate e fortë. Nëse në disa rajone të Kosovës nuk e sabotojnë Vjosën disa nga krerët e LDK-së, atëherë gjasat i ka të mira që të fitojë. Partitë e tjera po bëjnë gabim që PDK po e nxjerrin jashtë loje. Gabim shumë i madh. PDK në zgjedhje janë të tmerrshëm", tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, nëse LVV i fiton zgjedhjet, atëherë do të ketë një koalicion LVV-LDK.

"Nëse LDK i fiton zgjedhjet, me Vjosa Osmanin do ta kishim një koalicion LDK-LVV, por kam frikë që garda e vjetër s'do ta lejonte një gjë të tillë, sepse ata me shumë parapëlqejnë një koalicion me PDK-ne. PDK nuk ka vija të kuqe për asnjë parti. Prandaj për ata është vështirë ta dimë se me cilin subjekt politik do të bëjnë koalicion. Këto janë zgjedhje shumë të paparashikueshme, edhe pse bëjnë sondazhe të ndryshme!", përfundoi Krasniqi për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)