Lidhjet me krimin e organizuar, ja çfarë ka zbuluar instituti slloven për politikën kosovare

  • 11 September 2019 - 16:26
Lidhjet me krimin e organizuar, ja çfarë ka zbuluar instituti slloven për politikën kosovare

Në publikimin e fundit, instituti IFIMES nga Sllovenia i ndërlidh garniturat politike, sidomos mes Shqipërisë e Kosovës...

Përderisa partitë politike po përgatiten për intensifikimin e fushatës zyrtare zgjedhore, pavarësisht që jo zyrtarisht këtë fushatë ka kohë që e kanë filluar, organizatat me kredibilitet dhe renome rajonale kanë filluar ta monitorojnë situatën në Kosovë dhe të japin edhe parashikimet e tyre për rezultatin zgjedhor që do të kemi pas 6 tetorit.

Mjaft aktiv në këtë drejtim është instituti IFIMES nga Sllovenia, i cili në prag të zgjedhjeve në Kosovë ka hartuar edhe raportin dytë në prag të fushatës zgjedhore.

Image
Albinot Maloku

Politologu, Albinot Maloku duke u mbështetur në këtë analizë ta radhës të IFIMES-it, thotë se ajo është shumë reale dhe e besueshme, ngase edhe përvoja e tij e bashkëpunimit me këtë institucion për vite të kaluara, ka dëshmuar se puna e tyre në teren bëhet në mënyrë shumë profesionale dhe konstatimet janë me besueshmëri dhe saktësi të lartë, kështu që analiza e fundit për Kosovën mundë të jetë shumë e përafërt dhe të jetë prirës e rezultatit që do të kemi pas 6 tetorit. 

“IFIMES si një nga institutet më serioze në Ballkan që merret me hulumtimin e proceseve politike, në vazhdimësi rekomandon një rrugëtim më të drejtë të trajektoreve politike e vendim-marrëse për vendet e Ballkanit! Në publikimin e fundit ata ndërlidhin garniturat politike sidomos mes Shqipërisë e Kosovës, gjë që si fenomen nuk është ndonjë zbulim! Gjithsesi analiza në fjalë nuk përfshin vetëm rrjetin e politikës shqiptare por edhe afërsinë e tyre me faktor të caktuar ndërkombëtar nga ku e marrin energjinë e përkrahjen ato”, tha Maloku për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas Malokut, edhe disa defekte të zbuluara nga ky institut të funksionimi dhe vendimmarrja në LDK, janë shumë reale dhe të bazuara në argumente, sepse jo vetëm tani, por edhe në të kaluarën në këtë subjekt politik ka pasur dilema dhe hamendje të cilat e kanë dëmtuar në momentet më të rëndësishme të vendimmarrjes së gabuar.

“Një fakt i prezantuar nga IFIMES ku thotë se LDK është e kapur, dhe rrjedhat brenda saj u përcaktuan nga bashkëpunëtoret e Partisë Demokratike të Kosovës, që kanë pushtet brenda partisë, është padyshim kallëzues që mundësia për ndryshime thelbësore në sistemin politik të vendit është i vështirë! Në këtë ka një impenjim edhe të faktorëve ndërkombëtar, ku sipas institutit përmendet CDU e Gjermanisë! Për fund mund të them se pa dyshim ky publikim nuk është për tu hedhur e mos konsultuar sidomos në këtë kohë kur jemi në një proces zgjedhor”, tha politologu, Albinot Maloku për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)