‘Fundi i Thaçit dhe Ramës”: Zbardhet formula, ja çka pritët të ndodhë pas zgjedhjeve

  • 11 September 2019 - 17:54
‘Fundi i Thaçit dhe Ramës”: Zbardhet formula, ja çka pritët të ndodhë pas zgjedhjeve

Humbja e PAN-it në zgjedhjet e 6 tetorit, do të thotë edhe fundi i sundimit të dyshes, Thaçi-Rama në Kosovë dhe Shqipëri...

Derisa Kosova po i ofrohet datës “D” të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, instituti slloven, IFIMES, që merret me studimin e gjendjes në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan, ka publikuar rishtas një raport të ri, e në të cilin flet edhe për funksionimin e rrjetit kriminal politik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ky institut ka paralajmëruar mundësinë e shkatërrimit të kësaj lidhje, me rënien nga pushteti të PDK-së dhe ndikimit të ndryshimeve politike edhe në Shqipëri.

Sipas kësaj analize, në këto zgjedhje pritet që të humbasin partitë që kanë qeverisur dy vitet e fundit me Kosovën. 

Përveç tjerash ky institut konstaton se rënia nga pushteti e PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, do të kenë ndikim edhe në rënien nga pushteti të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës.

“Kryeministri Rama ishte i përfshirë në mënyrë aktive në përpjekjet për të bindur partitë politike të opozitës në Kosovë që të shmangin zgjedhjet e parakohshme dhe krijimin e një qeverie të re. Por përpjekjet e tij përfundimisht dështuan. Rama është i vetëdijshëm që humbja në zgjedhje e Thaçit, nënkupton edhe fundin e regjimit të tij”, thuhet në analizën e IFIMES.

Sipas analistëve politikë, ky raport është një paralajmërim serioz për ndryshimet në skenën politike të Kosovës, fillimin e detyrueshëm të dekriminalizimit të politikës Shqiptare, derisa aty flitet dhe kërkohet edhe një rol më aktiv i SHBA-së që të punësojë agjencitë e saj për të luftuar krimin dhe korrupsionin, ashtu siç ka bërë Italia pas Luftës së Dytë Botërore.

Image
Nexhat Haziri

Sipas analistit politik Nexhat Haziri, raporti i këtij instituti kredibil i zhvillimeve rajonale nuk ka zbuluar diçka të re, por vetëm e ka zbardhur dhe konstatuar një gjendje faktike, por që deri më tani sikur është lënë anash dhe nuk i është bërë aq e njohur opinionit publik për arsye të caktuara.

“Nuk është se IFIMES-i, na e zbuloi "ujin e nxehtë”, kur bëhet fjalë rrjetin e krimit të organizuar në mes Shqipërisë dhe Kosovës në të cilën janë të involvuar politikan të nivelit të lartë siç është presidenti Thaçi dhe kryeministri shqiptar Edi Rama sepse kjo lidhje ekziston kaherë si e tillë”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Madje, Haziri ka rikujtuar se edhe në më herët nga analistët e zhvillimeve rajonale është alarmuar për disa informata të shërbimeve të shteteve perëndimore, sipas të cilave është thënë se tregun e drogës në mes dy vendeve e kontrollojnë po këta dy persona, të cilët janë përmendur edhe në raportin e IFIMES-it.

“Por kjo është vetëm një pjesë e rrjetit të krimit të organizuar që ndikohet nga dyshja Thaçi & Rama, pjesë e tij janë edhe kontrabanda me cigare, derivate, si dhe sektori i ndërtimit në të dy vendet që është shndërruar në një lavatriqe për pastrimin e parave”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Duke bërë krahasimin me humbjen e PAN-it dhe ndikimin ne Shqipëri, Haziri thotë se është një parashikim mjaft realist dhe duhet të merret me seriozitet. 

“Sa i përket asaj që humbje e PAN-it në zgjedhjet e 6 tetorit, do të thotë edhe fundin e sundimit të dyshes Thaçi-Rama në Kosovë dhe Shqipëri, është realiste pasi, sidomos PDK-ja me qëndrimin e saj në pushtet për më shumë se një dekadë e ka mundësuar që krimi i organizuar të funksionoj me komoditet pasi ka qenë i mbrojtur, i garantuar dhe ndihmuar nga strukturat shtetërore të sigurisë qofshin ato të Shqipërisë apo të Kosovës. Dhe humbje e pushtetit nga PAN-do të thotë edhe ndërprerja e këtyre lidhjeve”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Por, për të ardhur deri te kjo, sipas analistit Haziri, duhet një kohë për qeverinë e ardhshme, pasi ndikimi i rrjetit të krimit të organizuar është shumë i madh në institucionet e shtetit, sidomos në ato të sigurisë.

(Kosova Sot Online)