Fitore e madhe për Kosovën, ‘shuplakë’ e rëndë nga SHBA për Thaçin, Ramën dhe Haxhiun

  • 12 September 2019 - 07:42
Fitore e madhe për Kosovën, ‘shuplakë’ e rëndë nga SHBA për Thaçin, Ramën dhe Haxhiun

Ja çka fiton Kosova me shkarkimin e këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton nga Presidenti Donald Trump

Vendimi i Presidentit amerikan, Donald Trump për ta shkarkuar nga detyra këshilltarin e tij për Siguri Kombëtare, John Bolton, një i përkrahës i idesë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas profesorit të së drejtës, Muhamet Kelmendit është një fitore e madhe për Kosovën dhe kosovarët, dhe goditje e rëndë për idenë serbe të shkëmbimit të territoreve dhe ndryshimit të kufijve të tanishëm në Ballkan.

Sipas Kelmendit, kjo ehtë një shuplakë e rëndë për Hashim Thaçin, Aleksandër Vuqiqin, Edi Ramën e Baton Haxhiun që pa rezervë ishin në mbështetje të idesë së shkëmbimit.

Kelmendi thotë se ky veprim, është dëshmi e qartë se SHBA-ja e kundërshton ashpër ndarjen e Kosovës.

“Konsideroj se shkarkimi nga detyra i z. Bolton, nga pozita e Këshilltarit të tij për Siguri, një pozitë e rëndësishme në mbështetje të Presidentit Trump, është një akt që tregon se Presidenti amerikan është duke menduar dhe vepruar sipas interesave vitale politike e strategjike të perëndimit në rajon, interesa që përputhen edhe më çështjen e Kosovës. Po e them këtë mendim sepse Z. Bolton ishte i njohur si përkrahës i madh i idesë për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Kelmendi shprehet se pas këtij ndryshimi në kabinetin e Trumpit, qartësohet dhe forcohet më shumë pozicioni i Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në këto bisedime do të shkohet me plan të qartë që sipas të cilit shtetësia e Kosovës dhe kufijtë nuk mundë të vihen në pikëpyetje por duhet të jenë temat tjera të interesit reciprok për të cilat duhet dhe mundë të bisedohet nga pozita të barabarta. Kjo është fitore e madhe, është gjithashtu humbje e lartë për predikuesit e shkëmbimit të territoreve apo të copëtimit të Kosovës, grupit të udhëhequr nga Thaçi dhe Vucic, me përkrahësit e tyre, si Edi Rama dhe mendje madhi e ideatori tjetër i ndarjes Baton Haxhiu”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Kelmendi u shpreh se fitorja e Kosovës nga ky veprim, konsiston në qartësimin e politikës amerikane karshi vendeve të Ballkanit si pjesë strategjike e Evropës.

“E tërë kjo dërgon te fakti se SHBA-të janë rikthyer me forcën e ndikimit më të madh për interesa strategjike në Ballkan. Dhe kjo është e mirëseardhur sepse Kosova si shtet i ri nuk është vetëm vepër e kosovarëve, por se ky shtet është fituar edhe falë angazhimit të madh të miqve perëndimor, edhe të SHBA-së, dhe tash po del se këtë fitore të përbashkët SHBA-të nuk duan të lëshojnë nga duart. Ky fakt i gëzon të gjithë kosovarët dhe i tmerron ideatorët e kompromisit në dëm të Kosovës, i tmerron ata që janë kundër mbrojtjes së interesit të shtetit sepse tashmë po shihet që e ardhmja është më e qartë”, përfundoi profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)