Dialogu Kosovë-Serbi: Kështu duhet të veprojë Qeveria e re

  • 12 September 2019 - 16:51
Dialogu Kosovë-Serbi: Kështu duhet të veprojë Qeveria e re

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duhet të riformulohet e riformatohet në dialog apo në bisedime...

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel,në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministren serbe, Ana Brnabiq, tha se është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë bisedimet dhe të arrijnë një kompromis, duke përmendur se marrëveshja e të dy palëve do të ishte e rëndësishme për paqen dhe rrugën e tyre drejt BE-së.

Ndërsa kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq ka thënë se shpreson që pas zgjedhjeve në Kosovë, bisedimet për një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme dhe kompromis midis Beogradit dhe Prishtinës do të vazhdojnë.

“Shpresoj që pas zgjedhjeve, ne do të kemi njerëz që janë mjaft të guximshëm dhe të përgjegjshëm, mbi të gjitha ndaj qytetarëve tanë, dhe të aftë të flasim për një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme. Do të jemi atje”, tha Brnabiq në një konferencë shtypi në Luksemburg.

Analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se bisedimet mes dy shteteve duhet të vazhdojnë, dhe se qeveria e re duhet ta trajtojë Serbinë veç si shtet fqinj.

Image
Ramush Tahiri

Sipas politologut, Ramush Tahiri, dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të riformulohet.

"Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të riformulohet e riformatohet në dialog apo në bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të përfundojë me marrëveshje gjatë përfshirëse për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet këtyre dyja vendeve fqinje", është shprehur Tahiri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, kjo do të ishte e rëndësishme për këto dy shtete, si dhe për marrëdhëniet për paqen dhe për stabilitetin në rajon dhe me gjerë. 

"Është thelbësore që të bisedohet si dy palë të barabarta pra si dy shtete të barabarta se vetëm kështu mund ti dalin për zot marrëveshjes të obligueshme dhe të zbatueshme dhe me garancitë e nevojshme ndërkombëtare nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që asnjëra palë njëanshëm nuk mund të tërhiqet nga marrëveshja për së paku periudhën dhjetë vjeçare", deklaroi politologu Ramush Tahiri për "Kosova Sot Online".

Tutje, Tahiri tha se Kosova duhet të hyjë në dialog me Serbinë me qëllim të qartë, që ka të bëjë me normalizim të marrëdhënieve, ngase, siç thotë Tahiri, me njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike dhe me anëtarësim në OKB.

"Qeveria e re duhet të jetë e përgjegjshme e përkushtuar të respektoj vullnetin e popullit dhe e guximshme që të mos bisedoj për asnjë çështje tjetër që e qet në tavolinë Serbia", shtoi Tahiri.

Ai tha se Qeveria nuk ka mandat tjetër, veç ta trajtoj Serbin si fqinjë.

"Kjo Qeveri edhe nuk ka mandat tjetër përveç Serbinë ta trajtoj si shtet fqinjë dhe ta mbajë përgjegjës për luftën në Kosovë dhe për pasojat, ndërsa Kosovën ta trajtoj si një vend sovran të pavarur me integritet dhe subjektivitet të garantuar dhe të paprekshëm", përfundoi politologu, Ramush Tahiri për “Kosova Sot Online”.

Kosova Sot Onlineë