‘Votat e sigurta’ zbulohet skenari i partive kosovare

  • 14 September 2019 - 17:48
‘Votat e sigurta’ zbulohet skenari i partive kosovare

“Partitë që na kanë qeverisur në Kosovën e pas luftës, janë kujdesur për vota të sigurta. Punësimet e militantëve dhe familjarëve janë një nga ato vota të sigurta, dhe dihet që shumica e të punësuarve në sektorin publik vijnë nga këto parti”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë dhe njohës të fushës elektorale, nga praktikat e zgjedhjeve të kaluara, që kanë rezultuar me shumë fletëvotime të pavlefshme, për të cilat është dyshuar se kanë ardhur si pasojë e informimit të pa mjaftueshëm të votuesve, theksojnë se në këtë pikë KQZ-ja menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve me dekretin e presidentit, është dashur ta fillojë edhe fushatën e informimit për votuesit, në mënyrë që asnjë votë e hedhur në kutitë e votimit të mos dështohet, por të shkojë për subjektet politike dhe kandidatët e preferuar të votuesve, me shpresë për ndryshime në qeverisjen e ardhshme.

Image
Faik Krasniqi

Sipas analistit, Faik Krasniqi, KQZ këtë fushatë nuk po e bënë më herët, ngase kjo vonesë ju përshtatet partive politike në pushtet, të cilat, sipas Krasniqit, kudo e kanë të garantuar një kontingjent votash klienteliste nga të punësuarit nëpër institucionet publike, pa përjashtuar këtu tentativën plus për blerjen e votës.

Prandaj, Krasniqit është edhe interes i partive që kanë pasur pushtetin që ta ruajnë atë votë të garantuar, dhe të ketë sa më pak votues të rinj të cilët do të votonin për ndryshime.

“Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës akoma nuk dinë të votojnë. Duhet të kemi parasysh që një pjesë e mirë e popullatës së moshuar janë edhe analfabet, dhe një pjesë e mirë gjysmë analfabet dhe nuk dinë të votojnë si duhet. Tani kjo dobësi shfrytëzohet kryesisht nga partitë në pushtet. Sa më shumë vota të pa vlefshme, aq më mirë për partitë që po na qeverisin në këto dy dekadat e pas luftës. Mos informimi nga ana e KQZ-së për informimin e qytetarëve për mënyrën e votimit, ka edhe qëllimin e saj me prapavijë që shkon në dobi të këtyre partive”, thotë Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, punësimet e militantëve dhe familjarëve janë një nga ato vota të sigurta të cilat i kanë partitë politike.

“Partitë që na kanë qeverisur në Kosovën e pas luftës, janë kujdesur për vota të sigurta. Punësimet e militantëve dhe familjarëve janë një nga ato vota të sigurta, dhe dihet që shumica e të punësuarve në sektorin publik vijnë nga këto parti. Po ashtu edhe mbi 60 mijë veteranët, shumica prej tyre të rrejshëm, janë vota të sigurta për ta. Çdo veteran i rrejshëm ka nga disa vota në shtëpi. Kurse vota e veteranëve të vërtetë nuk do të thotë që shkon për ta, sepse ata nuk kanë luftuar që këta horra të bëhen kapës të shtetit dhe të bëhen milionerë në emër të luftës”, përfundoi Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)