Paralajmërimi amerikan, ndizet alarmi i vjetër: Ja sfida më e madhe që e pret Qeverinë e re

  • 15 September 2019 - 07:50
Paralajmërimi amerikan, ndizet alarmi i vjetër: Ja sfida më e madhe që e pret Qeverinë e re

“Ky është tregues i mjaftueshëm se kjo marrëveshje e dhimbshme do të jetë ligjërisht e obligueshme për të dyja vendet, edhe pse senatori Ron Johnson e thotë se një dokument i tillë do të ofrohet në formë të rekomandimit dhe vullnetit të mirë, por kinse nuk do të imponohet me detyrim”, tha Zeqa.

Deklarata e senatori amerikan, Ron Johnson, sipas të cilit marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë që pritet të arrihet nga procesi e vazhdimit të dialogut, mundë të mos jetë e pëlqyeshme për të dyja palët, edhe në Kosovë por edhe në Serbi, sipas analistëve të politikës, duhet të merret seriozisht edhe si një sinjal paralajmërues i një marrëveshje që po përgaditet si draft paraprak për diskutim, dhe që për bazë ka edhe shkëmbimin territoresh mes dy vendeve.

Image
Florim Zeqa

Një element të tillë e sheh si shumë të mundshëm edhe analisti politik, Florim Zeqa, i cili bazohet në një deklaratë të fundit të senatorit amerikan Ron Johnson .

“Sipas senatorit Ron Jonson, të dy palët do të detyrohen të ulen dhe të bisedojnë për një dokument i cili do të harmonizohet mes fuqive të mëdha të ndikimit botëror e rajonal, për të cilin mundë të flasin vetëm për aspekte të modifikimit eventual por jo për ndryshime qenësore dhe rrënjësore. Ky është tregues i mjaftueshëm se kjo marrëveshje e dhimbshme do të jetë ligjërisht e obligueshme për të dyja vendet, edhe pse senatori Ron Johnson e thotë se një dokument i tillë do të ofrohet në formë të rekomandimit dhe vullnetit të mirë, por kinse nuk do të imponohet me detyrim”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Madje, sipas analistit Zeqa, edhe kompromisi më i vogël që mundë të bëhet në këto bisedime, e që do të peshon mbi Kosovën, është i dhimbshëm, pasi Kosova ka pësuar në një luftë të pa barabartë me Serbinë.

“Është shpallur shtet dhe tani nuk do të duhet të bëheshin rishtas kompromise të reja në dëm të saj, prandaj sado që pala Kosovare do të ketë presion për të bërë një kompromis, këtë nuk do të duhej pranuar assesi. Për shtetin e Kosovës, çdo kompromis i radhës do të jetë i dhimbshëm dhe tepër i ndjeshëm. Veriu i artë i Kosovës nuk kompensohet më asgjë, as me Luginën e as me Sanxhakun. Edhe përkundër trysnisë ndërkombëtare, delegacioni i Kosovës duhet të qëndroj i palëkundur në mbrojtjen e të drejtës ndërkombëtare dhe tërësisë territoriale mbi të cilën është njohur Republika e Kosovës”, tha Zeqa, duke kujtuar se vazhdimi i dialogut do të jetë sfida më e madhe dhe e pakalueshme për qeverinë e re pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Pra, mbetët të shihet, sa do të arrijë qeveria e re t'i bëj ballë presionit ndërkombëtar dhe shantazheve të Serbisë për ndryshimin e kufijve sipas orekseve të kësaj të fundit”, ka thënë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)