Eksperti i sigurisë e sfidon rëndë Veselin: Dy thasë i ke sjellë prej Serbisë, trego listën e spiunëve...

  • 16 September 2019 - 07:34
Eksperti i sigurisë e sfidon rëndë Veselin: Dy thasë i ke sjellë prej Serbisë, trego listën e spiunëve...

Kadri Veseli ta tregoj listën e spiunëve të Serbisë që veprojnë në Kosovë, listë të cilën ka arrit ta vërtetojë përmes organizatës legale/ilegale të SHIK-ut...

I ashtuquajturi pakt kundër korrupsionit, si oferta më “serioze” me të cilën PDK po mundohet në këto zgjedhje t’i mashtrojë qytetarët, për të t’ua marr votën, po vazhdon të shihet si kulmi i shpenzimit të PDK-së me qeverisjen e korruptuar e të dështuar për të gjitha mandatet që la pas, pasi tani veç po e pranon një të vërtetë të madhe, ekzistimin dhe instalimin e krimit e të korrupsionit në institucione dhe gjithandej në jetën publike, për të gjitha vitet që po mbeten mbrapa.

Image
Xhevat Meha

Analisti politik dhe njohës i fushës së sigurisë, Xhevat Meha konsideron se jo vetëm PDK, por të gjitha subjektet politike që kishin pushtet në këto 10 vitet e fundit, votat i kanë marr kështu, duke mashtruar qytetarin në format më të ndryshme të mundshme.

Një mandat tjetër të radhës me kësi lloj mashtrimi, sipas analistit Meha, po provon ta rifiton edhe PDK-ja.

“Përfaqësuesit politik të partive të tanishme politike në Kosovë, sidomos në këto 10 vitet e fundit, pothuajse ekskluzivisht votat i kanë fituar me skema dhe modele të ndryshme të rrenave dhe mashtrimeve. Këto i kanë kryer për të dëshmuar besim dhe besnikëri nga thënies së Dorica Qosiqit: rrena dhe mashtrimi janë fuqia e shtetit serb. Nisma e Kadri Veselit me këtë pakt është vetëm skemë e re e rrenave dhe mashtrimeve, kuptohet për të fituar vota”, tha Xhevat Meha për “Kosova Sot Online”.

Sipas Mehës, në hartimin e këtij propozimi të madh mashtrues, Veseli nuk ka qenë i vetëm, por ka pasur një ekip të tërë “këshilltarësh” të cilët janë hisedar në ndërtimin e shtetit të kapur nga krimi e korrupsioni për dekadat që po mbeten pas.

“Secili ndërtim ka arkitektët dhe kryearkitektin. Ndërtimi i “dërzhavës” së Kosovës që për themel ka mos zbatueshmërinë e ligjit ka pasur disa arkitekt por kryearkitekt është Hajredin Kuçi. Ky tani është dora e djathtë e Kadri Veselit, është numri dy në PDK”, tha analisti Meha për “Kosova Sot Online”.

Madje, duke konsideruar se ish kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli ka informacione të sakta për numrin e spiunëve serb që operojnë në Kosovë, por nuk e bënë publik, Meha thotë se vetëm nëse ish kreu i SHIK-ut, tani në krye të PDK-së i zbulon këto të dhëna, vetëm atëherë edhe mbase mundë t’i besohet në seriozitetin që mundë të ketë për zbatimin e paktit kundër korrupsionit.

“Po ashtu, për të na bindur Kadri Veseli se e ka seriozisht le të na tregoj listën e spiunëve të Serbisë që veprojnë në Kosovë, që ky ka arrit t'i vërtetoj përmes organizatës legale/ilegale të SHIK-ut. Kur të na e tregoj këtë listë ne mundë të fillojmë t'i besojmë”, tha analisti Meha për Kosova Sot Online”.

Madje ai thotë se ka informacione sipas të cilave Kadri Veseli ka marr plot dy thasë me dokumente nga Beogradi në të cilat edhe mundë të jenë listat e plota të atyre spiunëve.

“Nja dy thasë me dokumente i ka pas sjellë nga Beogradi derisa ky ka qenë kreu i SHIK-ut. Me gjasë kur i ka sjellë këto dokumente vet personalisht i ka transportua në shpinë për ta ruajtur edhe fshehtësinë e tyre”, përfundoi eksperti i sigurisë, Xhevat Meha për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)