Parashikimi: Ja çfarë ndodhë me LDK-në dhe AAK-në nëse PDK i fiton zgjedhjet

  • 16 September 2019 - 07:49
Parashikimi: Ja çfarë ndodhë me LDK-në dhe AAK-në nëse PDK i fiton zgjedhjet

Nëse marrim për bazë të kaluarën e këtyre dy partive, të cilat kanë qenë në koalicion me PDK-në, atëherë këto deklarata nuk mund të jenë fare të besueshme, madje deklarata plot hipokrizi sa për t'ua grabitur votën elektoratit...

Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani-Sadriu, ka deklaruar se kurrë nuk do të ketë koalicion në mes të LDK-së dhe PDK-së.

Image
Florim Zeqa

“Le të harrojnë ata që dalin e flasin që LDK shkon në koalicion me PDK-në, kurrë më nuk të ndodhë ajo punë. Ju e dini që këtë punë e keni të garantuar, sepse qytetarët e Kosovës i kemi dëshmitarë që kurrë s’e kam tradhtuar besimin tuaj. Ata që besojnë në konspiracione, ata që frikësohen nga vetja e tyre ndoshta mund të shkojnë aty, është ‘JO’ e madhe, LDK nuk shkon me ata që janë sinonim i korrupsionit, nuk shkon edhe pikë”, tha Osmani.

Po ashtu edhe nënkryetari i AAK-së, Rexhep Kadriu, ka deklaruar të njëjtën gjë.

Se a do të ndodh një gjë e tillë në skenën politike të Kosovës mbetet të shihet, pasi që shpeshherë edhe në të kaluarën kanë deklaruar një gjë të tillë, por pas ditës së votimit kanë ndryshuar qasje ndaj njëra tjetrës.

Në lidhje me këtë temë për "Kosova Sot Online", foli analisti politik, Florim Zeqa, sipas të cilit të gjitha deklaratat e të nominuarve për kryeministra nuk duhet marrë shumë seriozisht.

"Për shkak të mungesës së sinqeritetit dhe retorikës së fushatës zgjedhore. Si asnjëherë më parë në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e kemi kandidaten për kryeministre, zonjën Vjosa Osmani e cila fjalën e parë e ka "kurrë më koalicion me PDK-në dhe pikë",...ndërsa fjalën e fundit e ka "shkarkimin e Hashim Thaçit nga posti i presidentit dhe pikë", tha për "Kosova Sot Online", analisti politik, Florim Zeqa.

Tutje, Zeqa tha se Vjosa Osmani e ka të lehtë të deklarohet për konsum elektoral, për shkak se për lidhjen e koalicioneve, siç thotë Zeqa, pas zgjedhjeve vendoset në nivel të liderëve partiakë, për çka Vjosa nuk pyetet më për asgjë.

"E ngjashme me deklaratën e Vjosa Osmanit, është edhe deklarata e nënkryetarit të AAK-së, "nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në". Nëse marrim për bazë të kaluarën e këtyre dy partive, të cilat kanë qenë në koalicion me PDK-në, atëherë këto deklarata nuk mund të jenë fare të besueshme, madje do t'i quaja deklarata plot hipokrizi sa për t'ua grabitur votën elektoratit", shtoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, në rast të fitores eventuale të PDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit, AAK dhe LDK jo vetëm se do të përfundojnë në gjirin e PDK-së, por, siç ka potencuar Zeqa, do të bëjnë garë, se cila do të shkojë e para në prehrin e saj.

"Pavarësisht faktit, cila nga tri partitë e mëdha i fiton zgjedhjet, Vjosa Osmani postin e kryeministres mund ta shijojë vetëm përmes PDK-së dhe Kadri Veselit. Mos arritja e koalicionit parazgjedhor LDK-LVV, e bën akoma më të pamundur koalicionin paszgjedhor mes këtyre dy subjekteve politike. Prandaj, ky fakt e bën akoma më të besueshëm lidhjen e koalicionit paszgjedhor PDK-LDK, e këtij binomi më të përshtatshëm për bashkësinë ndërkombëtare, për përmbylljen e dialogut mes dy shteteve në armiqësi shekullore. Çdo kombinim tjetër do ua prishte llogaritë e projektuesve të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi", përfundoi Zeqa për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)