Denoncimi i rëndë: Ja pse ka falimentuar drejtësia kosovare

  • 16 September 2019 - 18:11
Denoncimi i rëndë: Ja pse ka falimentuar drejtësia kosovare

Partitë politike në Kosovë nuk e duan reformimin e drejtësisë dhe as VETTING-un, sepse ato nuk e duan dekriminalizimin e tyre...

Të gjitha raportet ndërkombëtare që monitorojnë sistem e drejtësisë në Kosovë, vazhdojnë të vënë në theks degradimin e madh që ka ndodhur në Kosovë, ku ndikimi i politikës në drejtësi vazhdon që nga paslufta e deri më tash, duke u bërë një institucion i korruptuar dhe i kriminalizuar.

E lidhur me këtë temë për "Kosova Sot Online" foli analisti dhe njohësi i fushës së drejtësisë, Skënder Kapiti, sipas të cilit, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka falimentuar.

Image
Skënder Kapiti

“Sepse është e falimentuar, e degraduar,e kriminalizuar dhe thellësisht e korruptuar politika, elita aktuale politike, e cila, e ka kapur dhe e përdor si mjet dhe instrument te saj drejtësinë. Partitë politike në Kosovë nuk e duan reformimin e drejtësisë dhe as VETTING-un, sepse ato nuk e duan VETTING-un dhe as dekriminalizimin e tyre", tha Kapiti për "Kosova Sot Online".

Sipas tij, nëse vota e 6 tetorit nuk i pastron partitë politike duke mos i votuar kandidatët e tyre me rekorde krimi, vjedhje, korrupsioni e tradhti kombëtare, atëherë drejtësia në Kosovë vetëm sa do të degradohet edhe më tej e më thellë akoma.

"Një politik tjetër e pas 6 Tetorit , një antiteze dhe alternative tjetër politike parlamentare, me Vjosa Osmanin dhe me Albin Kurtin do të ishte një shpresë për Kosovën, pasi këta nuk janë të konsumuar dhe as të shtrënguar nga hajnia e korrupsioni si ata të tjerët që u janë konsumuar edhe hajnia, krimi, mashtrimet dhe korrupsioni", shtoi Kapiti për "Kosova Sot Online". 

"Dhe eliminimi e ndëshkimi për krimin, vjedhjen, injorancën dhe për korrupsionin politiko-institucional që ka kapur Kosovën atëherë ngjallet edhe shpresa që edhe drejtësia në Kosovë do t'i nënshtrohej VETTING-ut, kësaj Reforme për Kosovën , për të cilën vetëm Gazeta "Kosova Sot" e ka promovuar si nevojë dhe si domosdoshmëri historike dhe jetike për Kosovën", përfundoi Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)