Analiza e fortë e profesorit universitar: Flet për negociatat e dhimbshme, ja çka duhet të përgatitet qeveria e re

  • 18 September 2019 - 07:30
Analiza e fortë e profesorit universitar: Flet për negociatat e dhimbshme,  ja çka duhet të përgatitet qeveria e re

“Në këtë kontekst edhe insistimi i ambasadorëve amerikane në Beograd e Prishtinë, për t’u bërë gati për”negociata” finale dhe të dhimbshme, që dosido kjo fjala të “dhimbshme” nënkupton kompromise, të cilave askush nuk ua di as masën e as dimensionin; social, e sidomos atë politik”, tha Maloku për “Kosova Sot Online”.

Insistimin e forcuar të diplomacisë amerikane dhe Evropiane, për ta bërë shpejtë qeverinë e re të Kosovës dhe për të rifilluar negociatat me Serbinë për arritjen e një marrëveshje finale, siç e kanë kërkuar së fundi diplomatët amerikan dhe evropian, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, është një shtytje e re në ofensivë me presion ndaj qeverisë në ardhje, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, që të bëhet gati edhe për bisedime të dhimbshme, me kompromis për hir të ruajtjes së interesave strategjike të fuqive perëndimore në rajon, me theks të veçantë të SHBA-ve.

Image
Fadil Maloku

Lidhur me këtë temë, për “Kosova Sot Online” ka folur profesori universitar, doktor Fadil Maloku, i cili konsideron se kjo shtytje e re e faktorit ndërkombëtar për të intensifikuar dialogun me Serbinë, shkon në funksion edhe të finalizimit të procesit të shtet ndërtimit të Kosovë, me mbështetjen e miqve ndërkombëtar, ashtu sikur kemi ardhur deri në këtë fazë të tanishme.

“Insistimi amerikan që me çdo kusht të bëhen përgatitet për dialog,lexo; negociata të dhimbshme dhe të mundimshme, nga qeveria që do dal nga zgjedhjet 2019, janë padyshim një lloj sinjali se përkundër përpjekjeve të saja, nga ish administratat demokratike e Blil Klintonit dhe Barak Obames, shtetësia dhe instalimi i demokracisë në Kosovë nuk kanë përfundua. Nuk ka përfundua as procesi i shtet ndërtimit përmes njohjeve dhe proceseve integruese në mekanizmat dhe institucionet relevante botërore, siç janë OKB-ara, Interpoli, BE-ja, vende këto ku matet pesha specifike e secilit shtet në botë”, tha Maloku për “Kosova Sot Online”.

Prandaj, sipas Malokut për të vazhduar tutje, kërkohen edhe bisedimet e negociatat për tu shkëputur në tërësi nga çështjet e hapura me Serbinë, sado që mundë të ketë edhe tema të dhimbshme që do të trajtohen në këtë proces, por pa u cenuar interesi bazë perëndimor dhe ai amerikan në këtë pjesë të Evropës- Ballkan.

“Në këtë kontekst edhe insistimi i ambasadorëve amerikane në Beograd e Prishtinë, për t’u bë gati për”negociata” finale dhe të dhimbshme, që dosido kjo fjala të “dhimbshme” nënkupton kompromise, të cilave askush nuk ua di as masën e as dimensionin; social, e sidomos atë politik, si edhe emërimi i “bolduzherit” Palmer në këtë çështje, dërgon një porosi serioze se Amerika për interesat e veta ne Ballkan, dëshiron ta ushtroj një lloj ri konfigurimi dhe ri dimensionimi të këtyre interesave për dekadat e reja. Natyrisht, duke llogaritur gjithnjë interesat gjeostrategjike amerikane dhe sigurinë e stabilitetin e saj afatgjate, nuk shoh ndonjë ndryshim rrënjësore”, theksoi Maloku për “Kosova Sot Online”.

Sipas Fadil Malokut, vetëm duke arritur një lloj balance me kompromis, për një marrëveshje mes të dy vendeve, mundë të arrihet edhe qëllimi i shtrirjes dhe forcimit të interesave të perëndimit në rajon, duke futur nën ndikim edhe Serbinë, që tash për tash është shteti i vetëm i mbetur jashtë ombrellës perëndimore, me theks SHBA-ve.

“E them kështu edhe për shkakun se ajo me ndihmën e aleatëve evropian arriti t’i fut nën ombrellën e sigurisë së NATO-s pothuajse të gjitha ish republikat e ish Jugosllavisë, plus Shqipërinë, përveç Serbisë. Dhe ky sukses, kuptohet kërkon një lloj strategjie dhe angazhimi të ri në Ballkan, ashtu që kompromiset me Serbinë, asaj i duhen për ta përmbyllur kapitullin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan”, theksoi profesor Fadil Maloku për “Kosova Sot Online”.

Në finale të këtij procesi të vendim marrjes, sipas Malokut, do të përfshihet një numër më i madh aktorësh për të ndërmjetësuar e për të garantuar zbatimin e marrëveshjes dhe ndarë interesat globale rajonale, prandaj Kosova duhet të shkojë në këto bisedime me agjendë konkrete të konsensusit nacional.

“Dhe në këtë finale të finaleve , padyshim që do ketë edhe “lojtarë” të tjerë relevant, nga Rusia, në çka do insistoi me mish e me shpirt Serbia, Franca, Gjermania e Anglia. Qe të gjithë këta të deleguar, do jenë të formatit të Palmerit. Andaj, qeveria kosovare duhet përveç një konsensusi nacional Qeveri- Opozitë, do të duhet qysh ditët e para ne Kabinet qeveritar ta ketë skicën e “bisedimeve” me Serbinë”, përfundon profesori Fadil Maloku për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)