Në kohë fushate, ja kënd e mbron Haradinaj

  • 19 September 2019 - 11:21
Në kohë fushate, ja kënd e mbron Haradinaj

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka ndryshuar qëndrim për prokurorët në kohë fushate. Përderisa një vit më parë prokurorin e dorëhequr Elez Blakajn e kishte quajtur hajn të pulave dhe pishpirik, tash po thotë se askush nga politika nuk ka të drejtë që t’i fyejë apo sulmojë prokurorët.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se mbështetja e ushtarëve, policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve është obligim moral, ligjor e kombëtar.

“Askush nga politika nuk ka të drejt të fyej apo sulmojë ushtarin aktiv, policin në detyrë, prokurorin dhe gjyqtarin në funksionet e tyre. Mbështetja ndaj tyre është obligim moral, ligjor e kombëtar i secilit prej nesh”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka premtuar se me ardhjen e tij në pushtet do të ketë shtim të policëve, prokurorëve e gjyqtarëve.

“Deri në 2 % të BPV për mbrojtje të atdheut, +2000 policë shtesë për sigurinë në rrugë e lagjet tona, +100 prokurorë në betejën kundër krimit, +100 gjyqtarë shtesë në ndarjen e drejtësisë dhe zgjidhjen e lëndëve të panumërta që presin në radhë. Ky është zotimi im. Ja kemi borxh Kosovës, t’i mbështesim ata që ruajnë dhe mbrojnë qytetarin e shtetin”, thuhet në postimin e tij.

 

 

Askush nga politika nuk ka të drejt të fyej apo sulmojë ushtarin aktiv, policin në detyrë, prokurorin dhe gjyqtarin në...

Posted by Ramush Haradinaj on Thursday, September 19, 2019



(Kosova Sot Online)