Pak orë para verdiktit të gjykatës, a e shantazhoi Tahiri sot Edi Ramën?

  • 19 September 2019 - 14:29
Pak orë para verdiktit të gjykatës, a e shantazhoi Tahiri sot Edi Ramën?

Vetëm pak orë se gjykata të merrte vendimin për dënimin ose jo të tij, pasi prokuroria ka kërkuar 12 vite burg, ish krahu i djathtë i Ramës në qeverinë e parë të rilindjes, Saimir Tahiri, ka lëshuiar mesazhet e fundit të koduara për kryeministrin. Tahiri e ka parë veten në vështirësi në gjykatë, sepse kjo e fundit nuk ka marrë parasysh disa nga provat që ai i ka thënë në sallën e procesit, duke pretenduar se nuk ekzistonin paraprakisht të dosje. Ish ministri është ndjerë i frikësuar se mos më shumë sesa provat, në vendimin për të ndikonte presioni politiko diplomatik. Edhe përfqësues të ambasadës amerikane janë shprehur hapur kundër tij(lexo poshte) edhe deputetë gjermanë e kanë lidhur atë me hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Prandaj Sajmir Tahiri ka bërë provën e fundit duke i çuar sinjale me dy kuptime Edi Ramës.

Ndërsa kundërshtoi replikat e prokurorisë në procesin gjyqësor, Tahiri tha se ka luftuar krimin e organizuar gjatë kohës që drejtonte ministrinë e brendshme.

“E vetmja gjë që më implikon mua është shitja e makinës te Artan Habilajt, një person i cili nuk është as nën hetim as i dënuar dhe unë po mbaj përgjegjësi për vëllezërit e këtij personi, kur ka njerëz që nuk mbajnë përgjegjësi për vëllezërit e tyre. Jam i sigurt që të gjithë kemi nga një kushëri budalla, kriminel në fis, por askush nuk mban përgjegjësi” deklaroi ai.

Natyrisht nëse pyetet drejtëpërdrejtë Tahiri nuk e pranon nëntekstin e këtij mesazhi, por një gjë është e qartë, askush që e dëgjon nuk mund të lërë atë pa e lidhur me akuzat që opozita ka lëshuar kundër vëllait të kryeministrit dhe sidomos me skandalin e vëllait të Fatmir Xhafës që e pasoi Tahirin si ministër i brendëshëm.

Edhe përgjimin e bisedës së bërë publike nga hetimet italiane ku habilajt i referohen atij se kanë drekuar me shefin e madh, ish ministri ka tentuar ta shndërrojë në një lojë dy kuptimshe, duke përzier aty edhe Emrin e kryeministrit.

“Në momentin që këta personat flisnin për dreka me shefin e madh, unë kam qenë në një drekë bashkë me ministra të tjerë, të mbledhur nga kryeministri. Takimi është pasqyruar edhe në media. Ja ku kam qenë, në foton ilustruese të lajmeve në media jam unë dhe Kryeministri. Asnjë nga ne nuk është shefi i madh, ai është shefi i madh, por për qeverinë”- ka thënë Tahiri.

Shpesh herë kur ka qenë në momente të vështira Saimir Tahiri ka lëshuar mesazhe ambigue (video poshte) që nga mediat dhe politika janë konsideruar si shantazhe të drejtpërdrejta për Ramën. Edhe në këtë rast, disa orë para marrjes së vendimit nga gjykata, kur kjo e fundit ka dhënë një sinjal duke mos i marrë parasysh provat e tij, Tahiri ka ka luajtur të njëjtën lojë, duke lënë gjithnjë të hapur mëdyshjen: A është në gjendje ai ta kërcënojë ish shefin e vet?/

(Kosova Sot Online)