‘Luli’ goditet keq: Ja dy mashtrimet dhe gënjeshtrat e mëdha të Kadri Veselit

  • 24 September 2019 - 07:42
‘Luli’ goditet keq: Ja dy mashtrimet dhe gënjeshtrat e mëdha të Kadri Veselit

“Është ky një mashtrim tjetër kulmor i Veselit përball qytetarëve të pa informuar kur dihet fakti se ishin po bashkëveprimtarët e Veselit ata që i frynë këto lista me veteran të shpikur, madje po këta politikan që krekosen tani Veseli dhe argatët e tij, ishin ata që ndërhynë në procesin e nisur nga Prokuroria e shtetit për të hetuar, ndjekur e pastruar dosjen e kriminalizuar të veteranëve të luftës”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Image
Florim Zeqa

Parafushata e zgjedhjeve të 6 tetorit, sipas analistëve politikë po kalon në shenjë të premtimeve të parealizueshme të kandidatëve për kryeministra, ku secili premtim na del më qesharak se tjetri.

Kështu mendon edhe analisti politik, Florim Zeqa, ku sipas tij, flamurtar i parë i cili prin me zotimet dhe premtimet mashtruese, që po e irritojnë skajshmërisht qytetarin, është PDK-ja dhe kreu i saj Kadri Veseli, i cili përveç zotimeve për ta luftuar krimin e korrupsionin, një fenomen të instaluar kryesisht nga PDK-ja, tani po merret edhe me zotimin për ta vendosur drejtësi rreth listave të veteranëve, përsëri diçka që vulën kryesore të manipulimit ja kanë dhënë ish-komandantët e “fortë’, veprimtarë të PDK-së.

“Premtimet e kreut të PDK-së shënojnë kulmin e mashtrimeve. Nuk e besoj që mund të ketë mashtrim më të madh sesa premtimi i luftimit të korrupsionit nga ata që e kanë lejuar instalimin e korrupsionit, nuk ka dhe nuk mund të ketë mashtrim më të madh sesa premtimi i luftimit të mashtruesve dhe abuzuesve me listat e veteranëve nga ata që kanë përfituar nga fryrja e listave të veteranëve. Prandaj, premtimi i Kadri Veselit se PDK-ja do të luftoj pa kompromis abuzimet dhe shpërdorimet, duke ndërmarrë hapa konkret për ta zgjidhur njëherë e mirë edhe çështjen e mashtruesve që janë futur në mënyrë abuzive në listat e veteranëve, duket një premtim banal elektoral”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Mashtrim i dyfishtë i Veselit kur flet për pastrimin e listave të veteranëve, sipas analistit Zeqa, është për faktin se tani ato lista kanë kaluar në dorën e prokurorisë, dhe nuk janë më në mundësi të korrigjohen e përmirësohen nga Kadri Veseli, “kryeministër i ardhshëm”.

“Është ky një mashtrim tjetër kulmor i Veselit përball qytetarëve të pa informuar kur dihet fakti se ishin po bashkëveprimtarët e Veselit ata që i frynë këto lista me veteran të shpikur, madje po këta politikan që krekosen tani Veseli dhe argatët e tij, ishin ata që ndërhynë në procesin e nisur nga Prokuroria e shtetit për të hetuar, ndjekur e pastruar dosjen e kriminalizuar të veteranëve të luftës. Dihet mirëfilli se listat e veteranëve janë fryrë nga të njëjtit njerëz për interesa elektorale të zgjedhjeve në 10 vjetshin e fundit dhe për interesa korruptive, ku shifrat arritën trefishin e veteranëve real. Ky numër i veteranëve në rrethanat e luftës do ta sfidonte jo vetëm ushtrinë e Serbisë, por edhe ushtritë e fuqive të mëdha. Mirëpo tani pas 20 viteve nga përfundimi i luftës, po sfidohet buxheti i shtetit nga armata e veteranëve të shpikur, të cilët e kanë zbehur në masë të madhe imazhin e veteranëve të vërtetë, të atyre që prej fillimit e deri në mbarim të luftës kanë qëndruar stoikisht në vijat e frontit ballë për ballë me forcat pushtuese serbe”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti Zeqa thotë se qytetarët e lodhur nga mashtrimet 20 vjeçare, nuk ju besojnë më premtimeve elektorale, se qytetarët do t'iu besojnë vetëm vendimeve në kohë reale, vetëm gjykimeve të përfunduara për korrupsion dhe krim të organizuar, vetëm pastrimit imediat të listave të veteranëve, nëse ajo do bëhet nga vetë veteranët.

“Më mirë se çdo vendim politik dhe më mirë se çdo vendim gjykate, lista e veteranëve mashtrues mund të pastrohet nga veteranët e vërtetë. Secilit nga ushtarët iu kujtohen shokët e luftës, iu kujtohen vuajtjet dhe sakrificat, iu kujtohen dhimbjet dhe plagët që ua ka shkaktuar lufta,prandaj para askujt tjetër u takon juve veteranë të luftës që të mos i përjetoni nënçmimet dhe poshtërimet nga veteranët mashtrues që asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e luftës dhe as që kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)