Tërmkolli e quan të pafytyrë kandidatin e PDK pasi i tha pse nuk po ua lëshon vendin të rinjve
Këtë të mërkure në një emision televiziv u përballën kandidatët e Fushë Kosovës për deputetë.
Kandidati nga radhët e PDK-së, Rrahim Tërnava, e ka quajtur “kukull” Vjosa Osmanin, kandidaten për kryeministre nga LDK.
“Partitë tjera flasin sepse kanë xhelozi, sepse lista e PDK-së nuk është listë e penzionerave si e LDK-së. Marre duhet me të ardhën Melihate që kandidon që 20 vite për deputete e nuk u jep rast të rinjve”, ka thënë Tërnava.
Por, Tërnavës i është kundërpërgjigjur Melihate Tërmkolli nga LDK.
“A bon me u ndal? Qenke shumë i pafytyrë, s’po të njohë, por qenke fortë i pafytyrë”, ka deklaruar Tërmkolli në emisionin Frontal.
Kandidatja për deputete e LDK-së duke folur për koalicionet pas zgjedhore, ka thënë se do të shkonin në një koalicion me VV, nëse këta të fundit ‘kulturohen’.
“Nëse kulturohen do të hyjmë me VV-në në koalicion pas zgjedhor dhe nëse e pranojnë shtetin e Kosovës. LDK është e vetmja parti që nuk e ka djegur shtetin”, Tërmkolli.
E Tërmkollit i është përgjigjur Avni Zogiani nga radhët e Vetëvendosjes.
“Ky është konstatim i Melihates, që nuk dua të merrem me të. VV do të ofrojë një model të ri qeverisës, sepse VV nuk ka kusure prapa me që nuk e ndau tortën me PDK, si LDK, AAK dhe NISMA”, ka thënë Zogiani nga VV.
(Kosova Sot Online)