Profesori i njohur e akuzon shumë rëndë: Ja pse duhet të shkarkohet Thaçi

  • 26 September 2019 - 07:35
Profesori i njohur e akuzon shumë rëndë: Ja pse duhet të shkarkohet Thaçi

“Deklaroi e çka nuk deklaroi ai deri më tani. Në një shtet ligjore ky njeri do të shkarkohej dhe do të vendosej në bankën e të akuzuarve, së bashku me Isa Mustafën. Kuptohet nëse për asgjë, për Asociacion dhe deklaratat plotë kundërthënie, për ndarje e copëtim të Kosovës. Mirëpo ky akoma po tolerohet sepse po shihet që ka arritur ta fus nënë kontroll tërë aparatin shtetëror dhe po luan me shtet”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, derisa po qëndron këto ditë në SHBA, duke folur për bisedimet me Serbinë rreth arritjes së një marrëveshje finale, e ka mohuar gjithë atë që është thënë deri më tani, se po bisedohet edhe për opsionin e ndryshimit të kufijve.

“Kurrë nuk ka qenë në tryezë ndryshimi i kufijve. Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm. Të gjithë ata që kanë folur për ndryshim të kufijve të Kosovës kanë prezantuar një mashtrim për opinionin publik me karakter elektoral. Territori i Kosovës është i paprekshëm. Por unë gjithmonë respektoj të drejtën e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që t’i bashkëngjiten Republikës së Kosovës, pa u cenuar asnjë centimetër i territorit të Kosovës. Të gjitha opinionet tjera janë gënjeshtra”, tha Thaçi.

Pas kësaj deklarate të të parit të shtetit të Kosovës, kanë reaguar ashpër analistët politikë, duke i rikujtuar Hashim Thaçit se ai tani po ndryshon qëndrimin që ka pasur më herët, e kur e ka thënë qartë se madje nuk ka fare nostalgji për kufijtë e trashëguar nga regjimi i Rankoviqit, duke aluduar në pjesën veriore të Kosovës, e banuar me shumicë serbe, e me të cilën Serbia hapur po kërkon të bëhet kompromis, shkëmbim për njohjen e Kosovës.

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, ka thënë për “Kosova Sot Online “ se është fakt i pa mohueshëm që Hashim Thaçi e ka mbështetur një plan për shkëmbim territoresh deri më tani, për atë ai do të duhej të jepte edhe përgjegjësi penale e politike, por tani po i ndryshon qëndrimet kur po e sheh se plani i fshehtë i akorduar me Vuqiqin po has dita ditës në kundërshtime të fuqishme të fuqive me ndikim vendim marrës.

Prandaj sipas Kelmendit, ai po mundohet të shpëtojë nga fundi i turpshëm në karrierën e tij politike, me dyfytyrësinë e mashtrimeve të tij që e ka për traditë në jetën politike që nga fillimi.

“Në kuadër të aktiviteteve të Thaçi kemi pasur vazhdimisht oscilime, mashtrime, gënjeshtra dhe lajthitje të ndryshme, të cilat janë shfaqur ashpër dhe me konflikte të mëdha. Për të shkruar me detaje për të vërtetën e Thaçi nuk nevojitet fare ndonjë hulumtim i thellë. Është person që e ka treguar vetë pozitën e vetë dhe qëllimet që i ka pasur. Ky njeri është ai që e shkatërroi LPK-ne dhe UÇK-në . Në luftë e dëmtoj rëndë strukturën komanduese të UÇK-së dhe krijoi konflikte të mëdha midis strukturave luftarake, midis forcave politike etj. Nën ndikimin e lobit greko-serbo-shqiptaro-amerikan dhe rus, luajti rolin e ekzekutimit dhe të likuidimit politik të radhëve të lëvizjes. Vet u morr edhe më keqpërdorime të Parave të Fondit Vendlindja Thërret dhe likuidoi forcat politike në politikë, kuptohet në aspektin politik, duke sjellë në pushtet ish spiun, bashkëpunëtor të regjimit gjakatar serbomadh dhe tash e mbanë pushtetin me lajthitje e mashtrime të ndryshme”, shtoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, për të arritur aty ku është tani në pozitën e presidentit, dhe për të bërë pazare me Serbinë, e përdori me mjeshtri dhe shantazhe Isa Mustafën, në pozitën e kryetarit të LDK-së për t’ia marr votat, sepse ai ia di të gjitha të vërtetat për shpenzimet e Fondit 3%.

“Tani më është e njohur metoda e mashtrimit dhe e futjes në lojë edhe të matrapazit të Fondit të 3%, Isa Mustafës për tu bërë President, kurse si kundërshpërblim për mbështetje, Isa Mustafa Kryeministër. Nga kjo pozitë tani ai i ka filluar lojërat me territor të iniciuara akoma shumë më herët, e që datojnë që në kohën e Dobrica Qosiqit, por u futën në skenë gjatë takimeve Thaçi-Daçiq dhe Vuçiq. Jo vetëm kaq, ai bëri pazare edhe me thonjëzat e famshme mbi shtetin e Kosovës. Krijoi së bashku me Isa Mustafën pushtet juridik të pavarur në veri. Krijoi prokurori dhe gjykata, polici etj. Më vonë krijuan së bashku edhe Asociacionin serb në Kosovë, dhe në fund si vegël e interesave të Serbisë filloi idenë e ndërrimeve të kufirit, të korrigjimit, kinse të bashkimit të Luginës etj”, shtoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas ijë, në Kosovë nuk është i funksionalizuar dhe i pavarësuar akoma shteti ligjor dhe mbrojtja e duhur e Kushtetutës, ndryshe, për rrezikun që Thaçi ia ka ofruar Kosovës me hapjen e temës së kufijve, ai kaherë do të ishte shkarkuar, dhe madje ndjekur edhe penalisht.

“Deklaroi e çka nuk deklaroi ai deri më tani. Në një shtet ligjore ky njeri do të shkarkohej dhe do të vendosej në bankën e të akuzuarve, së bashku me Isa Mustafën. Kuptohet nëse për asgjë, për Asociacion dhe deklaratat plotë kundërthënie, për ndarje e copëtim të Kosovës. Mirëpo ky akoma po tolerohet sepse po shihet që ka arritur ta fus nënë kontroll tërë aparatin shtetëror dhe po luan me shtet”, përfundoi profesor, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)