Kosovarët nuk ua ndajnë pasurinë femrave

  • 26 September 2019 - 13:45
Kosovarët nuk ua ndajnë pasurinë femrave

Të drejtat e grave mbeten një ndër problemet kyçe në Kosovë, pasi gratë mbeten viktimat kryesore edhe në çështjen e ndarjes së pasurisë së përbashkët, ku nga 38 për qind e grave të divorcuara që kanë kërkuar të drejtën në pasurinë e përbashkët, vetëm 5 për qind kanë realizuar këtë të drejtë.

Kështu u tha në tryezën e diskutimit me rastin e publikimit të raportit të hulumtimit rreth pasurisë së përbashkët dhe mbajtjes financiare, të Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi, ku u kërkua plotësim-ndryshimi i kornizës ligjore.

Drejtoresha e INJECT, Luljeta Aliu, tha se një person i cili mashtron ekonomikisht apo financiarisht në martesë, duhet të burgoset ashtu siç është në vendet tjera të Evropës. Aliu potencoi se gjykatat duhet të respektojnë kornizën ligjore.

“Nëse mashtron në martesë ekonomikisht, financiarisht, është shumë vepër e rëndë, më e rëndë se veprat tjera, dhe burgosesh. Dhe, këtë duhet filluar edhe në Kosovë, sepse nuk është në rregull, nuk guxon me ndodh”, tha ajo.

Ajo tha se 50 për qind e grave të divorcuara kanë përjetuar dhunë në familje. Në bazë të hulumtimit, Aliu u shpreh se 38 për qind e grave të divorcuara e kanë kërkuar pasurinë e tyre, porse 60 për qind e tyre kanë refuzuar të marrin atë.

“65 për qind kanë angazhuar avokat dhe në pyetjen: ‘a keni fitu gjysmën e pasurisë’, ka qenë pyetja, 60 për qind kanë refuzuar, 35 për qind nuk e kanë fituar dhe veç 5 për qind e kanë marrë, por këto kanë qenë me marrëveshje, këto kanë qenë 2 raste me marrëveshje, jo që ua ka ndarë gjykata. Unë nuk di ndonjë rast që gjykata ua ka ndarë gjysmën e pasurisë për gratë, a e di një rast që ia ka ndarë burrit, një burrit prej pasurisë të gruas. Ajo ka funksionuar në vitin 2013, për të ndarë pasurinë për burrin, por ka funksionuar ligji. Dhe, nuk i ka lyp as dëshmi, veç ka thënë ‘i kam dhënë kaq’”, theksoi Aliu.

Avokati Anton Nrecaj, tha se në të gjitha rastet e ndarjes së pasurisë së përbashkët, viktima kryesore është femra. Ai tha se duhet të ketë plotësim apo edhe ndryshim të ligjit, pasi sipas tij, në praktikë, disa gjëra nuk funksionojnë pavarësisht kornizës së mirë ligjore.

“Në praktikë, te çështja e ndarjes së pasurisë së përbashkët në çështje familjare, viktima kryesore është femra… Viktimizimi i saj nuk përfundon vetëm me shkurorëzimin, vazhdon edhe në procedurat tjera. Në të shumtën e rasteve, më shumë se në 50 për qind të rasteve, gruaja përfundon si viktimë e dhunës në familje, përfundon si viktimë e proceseve tjera gjyqësore, si në ndarjen e pasurisë së përbashkët, përcaktimin e alimentacionit… Disa gjëra nuk janë duke funksionuar mirë, pavarësisht sado e mirë që është korniza ligjore. Po shihet që është një defekt. Unë jam ithtar i asaj që në të njëjtin proces të shkurorëzimit të përfundojnë të gjitha”, u shpreh ai.

Ndërsa Naim Qela, zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë dhe koordinator për Dhunë në Familje, tha se institucionet kanë arritur të krijojnë një sistem gjyqësor solid. Ai tha se praktika gjyqësore në Kosovë nuk e ka vetëm anën e keqe, por edhe anën e mirë.

“Kemi arritur të krijojmë një sistem gjyqësor solid, ku vetë numri i madh i lëndëve tregon se qytetarët adresohen për të kërkuar mbrojtje ligjore, sepse është adresa e vetme ku mund t’i realizosh të drejtat tuja nëse është shkelur një e drejtë juaj ose nëse është marrë një vendim në kundërshtim me ligjin, për ty”, tha ai.

Ndryshe, hulumtimi rreth pasurisë së përbashkët dhe mbajtjes financiare, të Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi, nxjerrë në pah se vetëm 17 për qind e grave kanë pronë të tyre.

(Kosova Sot Online)