Krimet serbe, profesori i njohur alarmon keq Kosovën

  • 27 September 2019 - 15:20
Krimet serbe, profesori i njohur alarmon keq Kosovën

“Ky mos interesim e ka forcuar shtetin kriminal serb dhe e ngritur atë në ofensivë kundër Kosovës. Kriminelët Daqiq dhe Vuçiq ndalen vetëm me këto fakte dhe argumente nëse ju nxirren në tavolinë gjatë fillimit të bisedimeve. Atyre thjeshtë dhe qartë duhet qitur përpara në tavolinë dosjet për gjenocidin dhe duhet kërkuar përgjigje nga shteti serb, e më pastaj të ecet me temat tjera”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi një zë shumë kritik ndaj heshtjes së politikës dhe institucioneve të drejtësisë kosovare lidhur me trajtimin e krimeve serbe të luftës, për këto 20 vite të kaluara, e sidomos për këto 11 vitet pas shpalljes së pavarësisë, ka reaguar ashpër me vazhdimin e kësaj heshtje edhe tani kur në instanca diplomatike ndërkombëtare po bisedohet me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve, por nuk hapet tema e krimeve të luftës dhe as e kërkesa për kompensimin e dëmeve, qoftë për bizneset apo atyre individuale të qytetarëve në raste individuale.

Image
Muhamet Kelmendi

Madje, sipas Kelmendit, është akoma më absurd fakti se si në vetë shtetin serb, inteligjenca ka filluar të zgjohet, të flet e denoncojë hapur e me argumente krimet serbe të Millosheviqit, kurse politika jonë vazhdon të heziton për të vepruar në çfarëdo forme në atë drejtim.

Reagimet e profesor Kelmendit, vijnë akoma më të zëshme pas shkrimit autorial të regjisorit serb Çedomir Petroviç, i cili hapur dhe pa asnjë kursim e akuzon regjimin kriminal serb për krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke përmendur edhe djegien e 1500 kufoma në furrat e Trepçës, frigoriferët me gra e fëmijë shqiptarë të nxjerr nga lumi Danub, dhe trupat e 980 shqiptarëve të vrarë që u gjetën në poligonin e ushtrimeve policore në Batajnicë afër Beogradit, si dhe 250 trupat e gjetur në varrezat e Rudnicës dhe te Rashkës.

“Kjo është vërtetë një çështje e rëndë dhe e dhimbshme, e cila pa të drejtë po vazhdon të heshtet për më shumë se dy decenie. Në veçanti dhimbja është e thellë për familjet, nënat dhe baballarët e të pa gjeturve, të cilët gjinden nëpër varre masive në Serbi apo edhe i kanë djegur. Kjo dhimbje po vazhdon dhe është gjithnjë e rëndë. Çështje tjetër është po ashtu edhe dëmi material dhe moral, dhe ky e tejkalon shifrën e 30 miliardëve euro, që i ka shkaktuar regjimi fashist serb. Vepër shumë e rëndë është edhe përdhunimi i bërë mbi vajzat dhe nënat tona,e që shifra po tejkalon 20 mijë veta”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Dhe krejt në fund, sipas Kelmendit është edhe përndjekja e 1 milionë qytetarëve jashtë vendlindjes.

“Këto me të vërtetë nuk kanë emër tjetër, janë krime kundër njerëzimit dhe hyjnë në krime të gjenocidit. Dhe, është e çuditshme tash se si po flitet për taksën e nuk flitet dhe as që bëhet kusht ndonjë nga këto çështje vitale. Kjo i tejkalon gjithë barometrat e krimit që duhet ndjekur edhe ndërkombëtarisht dhe duhet dënuar me akte e norma ndërkombëtare. Megjithatë nuk diskutohen dhe nuk kërkohen këto kushtëzime as nga UE-ja dhe as nga SHBA-të, në mënyrë që të behet presion mbi shtetin kriminal serb, për të marr përgjegjësit për krimet e bëra”, shtoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”

Kjo heshtje e politikës dhe drejtësisë kosovare, sipas Kelmendit vetëm sa e ka dobësuar pozicionin e Kosovës edhe në dialog me Serbinë, dhe e ka forcuar pozicionin serb.

“Ky mos interesim e ka forcuar shtetin kriminal serb dhe e ngritur atë në ofensivë kundër Kosovës. Kriminelët Daqiq dhe Vuqiq ndalen vetëm me këto fakte dhe argumente nëse ju nxirren në tavolinë gjatë fillimit të bisedimeve. Atyre thjeshtë dhe qartë duhet qitur përpara në tavolinë dosjet për gjenocidin dhe duhet kërkuar përgjigje nga shteti serb, e më pastaj të ecet me temat tjera”, përfundoi profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)