Pasojat e luftës në Jemen: Jetojnë mbi naftë, por kanë mbetur pa të

  • 29 September 2019 - 14:22
Pasojat e luftës në Jemen: Jetojnë mbi naftë, por kanë mbetur pa të

Mungesa e naftës po e thellon krizën humanitare në Jemen. Pronarët e veturave po detyrohen të presin me ditë të tëra në kolonë për t’i mbushur automjetet e tyre me naftë apo benzinë.

Pakësimi i prodhimit të naftës është vetëm njëri nga problemet që po shkaktojnë vuajtje në luftën civile mes rebelëve “Houthi” dhe koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe të mbështetur nga Perëndimi.

Megjithatë, pasojat e mungesës së naftës janë shumë më të gjera. Kjo lëndë djegëse nuk është e nevojshme vetëm për vetura, por edhe për pompat e ujit, gjeneratorët e spitaleve dhe transportimin e ushqimit dhe mallrave në vendin ku miliona njerëz janë buzë vdekjes nga uria.

“Kjo po ndikon në jetën e të gjithë banorëve. I kam lënë të gjitha, punën, jetën, për të pritur këtu”, tha Nashawan Khaled, i cili është duke pritur qe dy ditë në kolonë për ta mbushur veturën me naftë në kryeqytet, ku shumë pompa janë detyruar të mbyllen.

Në anën tjetër, nafta në tregun e zi po shitet me çmim tri herë më të lartë sesa çmimi i zakonshëm. Kështu, shoferët po detyrohen të presin dy ose tri ditë për ta mbushur një herë veturën me naftë.

Nafta e importuar në zonat e kontrolluara nga rebelët duhet t’i nënshtrohet kontrollit të rreptë të koalicionit ushtarak, i cili ndërhyri në konfliktin e Jemenit në vitin 2015 me qëllim për ta kthyer në pushtet qeverinë e presidentit Abd-Rabbu Mansour Hadi, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)