Historia e dy grave shqiptare, një miqësi që lindi në “ferr” dhe u trashëgua brez pas brezi

  • 29 September 2019 - 23:48
Historia e dy grave shqiptare, një miqësi që lindi në “ferr” dhe u trashëgua brez pas brezi

A mundet që një miqësi t’i mbijetojë kohës dhe largësisë? Secili mund të ketë përgjigjen e tij, por nga historia e sotme tek “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan pa diskutim që miqësia e fortë dhe e sinqertë ka arritur të qëndrojë e fortë pavarësisht largësisë.

Pas 40 vitesh, Brisbane, e cila jeton në Australi ka ardhur në studio për t’i bërë një surprizë mikes së saj Anxhela, e cila jeton në Trieste. Kanë qenë baballarët e tyre që e kanë nisur miqësinë në kampet e internimet gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas e përcollën edhe tek fëmijët e tyre.

Ishin të rinj e më shumë ëndrra për jetën të cilat po i mbanin gjallë mes telave me gjemba. E megjithatë fatmirësisht i’a dolën. Miqësia u trashëgua në distancë tek dy vajzat e tyre të cilat sot u takuan për herë të parë tek “Ka një mesazh për ty”. Kjo është historia e rrallë e babait të Brisbanës dhe babait të Angjelës të cilët i ruajtën kujtimet e bukura mes dy kontinenteve, Europë dhe Australi.

Gjithçka nisi në vitin 1950 kur xhaxhai i Brisbanës u arratis në Australi, ku jetonte dhe i ati i tij. Për pjesën tjetër të familjes nisi një kalvar i gjatë vuajtjesh nëpër kampet famëkeqe të Tepelenës e Lushnjes. Në ato rrethana u njoh babai i Brisbanës me babain e Angjelës. Ai ishte një personazh jo vetëm i njohur por edhe shumë i dashur për artëdashësit shkodranë, aktori i madh i humorit Gjosho Vasia. Teksa vitet kalonin dhe fëmijët rriteshin, dëgjonin vazhdimisht për miqësinë e ngushtë mes baballarëve e cila pas lirimit nga internimi mbahej gjallë vetëm nëpërmjet kujtimeve. Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist ata nuk mundën që të takoheshin sepse dy ish të dënuar që takohen do ngjallnin dyshim për plane të mundshme. Me ardhjen e demokracisë, dy zotërinjtë emigrojnë familjarisht, njëri drejt Italisë e tjetri në Kanada por së paku lidhin një komunikim nëpërmjet telefonit, letrave, skype etj. Brisbane mban mend që “axha Gjosho” (siç i thotë ajo) i drejtohej më vëlla babait të saj.

Fatkeqësisht Gjosho Vasia ndahet nga jeta krejt papritur në vitin 2013 duke lënë në pikëllim e zi jo vetëm familjarët e dashamirësit e tij, por mbi të gjitha shokun e ditëve më të vështira. Sa herë që dy miqtë flisnin me njëri – tjetrin edhe pjesëtarët e tjerë përfshiheshin në bisedime. Miqësia u trashëgua edhe tek vajzat e zotërinjëve, megjithëse ato ishin takuar vetëm një herë në jetë, krejt rastësisht, rreth moshës 10-vjeçare. Për t’i premtuar që miqësia nuk do ndërpritet por do vazhdojë e pastër, e bukur dhe e sinqertë si me baballarët e tyre, Brisbane kishte marrë rrugën nga Australia e largët për të surprizuar miken e saj, tashmë me qëndrim në Trieste, Angjela Vasia.

Brisbane kishte ardhur në program për t’i treguar mikes së saj që edhe pse vitet kanë kaluar, ajo e do atë si motër dhe kërkon që miqësinë dhe marrëdhënien e fortë mes tyre ta përcjellin edhe tek fëmijët.

Anxhela: Bris por ti duhet të jesh në Toronto. Surprizë!

Brisbane: Më solli aeroplani këtej.(qesh)

Anxhela: E pamundur! Më paske gënjyer!

Brisbane : Më fal që të kam gënjyer.

Anxhela: Kjo qenka një gënjeshtër fantastike për çfarë ke bërë sot. S’kam parë gënjeshtër më të bukur.

Brisbane :  Përshëndetje Anxhela. Të më falësh shumë që të gënjeva kur të thashë që do shkoj në Kanada, por doja ta bëja publike përse të kam sjellë këtu. Ti ke shumë dyshime në miqësinë time(qesh).

Anxhela: Unë kam dëgjuar për familjen tuaj mrekullira nga im atë, trimërira për fisnikërinë, madhështinë, për mençurinë, gjithçka për babanë e Brisvankës.

Arditi: Çfarë do i thuash?

Brisbane: Anxhela!

Anxhela: Hë Bris!

Brisbane: Dua të them, miqësinë që prindërit tanë e krijuan në ato kampe internimi, aq të vështira.

Anxhela: Tepër.

Brisbane: Ishte një miqësi e pastër, pa interesa.

Anxhela: Absolutisht!

Brisbane: Neve, fëmijët e tyre  jo vetëm që do ta forcojmë akoma edhe më shumë, por neve të bëjmë çmos që këtë miqësi t’jua lëmë edhe fëmijëve tanë, ashtu siç na e lanë baballarët tanë.

Anxhela: Është një thesar i çmuar!

Brisbane: Sepse miqësira të tilla nuk ndodhen. Sot mik e shok të bëhet kushdo, por në atë kohë kur familja të largohej e të bënte hasha nëse kishe ndonjë gjë në biografi, baballarët tanë e mbajtën këtë miqësi, e forcuan dhe na e lanë ne. Ne duhet ta ruajmë, është një miqësi shumë me vlera. Dua të them mos kesh as më të voglin dyshim në këtë miqësi .

Anxhela: S’kam pasur.

Brisbane: Unë kam tre motra kurse ti je motra jonë e katërt.

Anxhela: Aaa. Nuk e di, unë emocionohem që takoj Brisvankën, patjetër.

Arditi: Pas sa vitesh?

Anxhela : Uhh.

Brisbane: Dyzet vite. (qesh)

Anxhela: Më shumë.

Arditi: Më shumë. Le të themi dyzet.

Anxhela: Jo,jo . Është më shumë sepse unë edhe pse kam vite them çdo rrugë tregon diçka. Është gjë e bukur kjo. Rruga e fundit ishte humbja e babit Gjosha. Ajo ishte një rrugë që mu krijua tepër.

Arditi: Faleminderit për dritën që na sollët sot në studio. Nuk doja ta vonoja më shumë këtë përqafim që mungon prej dyzet vitesh.

Arditi i fton miket të takohen. Të dyja të përlotura dhe shumë të emocionuara, Anxhela i thotë: “Zemra jeme, shpirt!”

(Kosova Sot Online)