Finalja me Serbinë, çfarë thonë kandidatët për kryeministër të Kosovës

  • 30 shtator 2019 - 11:29
Finalja me Serbinë, çfarë thonë kandidatët për kryeministër të Kosovës

Qeveria e re e Kosovës që do të dalë pas zgjedhjeve të 6 tetorit si çështje të pakapërcyeshme do të ketë dialogun me Serbinë.

e re e Kosovës do të duhet të përballet me temën e dialogut me Serbinë, pavarësisht vështirësive dhe pengesave që mund të ketë në këtë proces. Kjo është një kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare e posaçërisht e SHBA-së, e theksuar disa herë nga i ngakuari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer. “Ne do ta bëjmë të qartë pritshmërinë tonë se qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë tarifat, të cilat janë pengesë për rifillimin e procesit të dialogut, e gatshme të formojë një ekip negociator të fuqizuar si dhe e gatshme të angazhohet me Serbinë në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve”, ka deklaruar Palmer.

Kosova tani gjendet në fushatë zgjedhore dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është tema për të cilën kanë shfaqur pikëpamjet e tyre edhe të nominuarit për kryeministër të Kosovës. Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani, thotë se në rast fitoreje, dialogun me Serbinë do ta udhëheqë vetë ajo dhe jo siç ka ndodhur në të kaluarën që dialogu, sidomos i fazës së fundit, të udhëhiqet nga Presidenti i Kosovës.

Vjosa Osmani: Dialogun do ta udhëheq unë

“Dialogu duhet të udhëhiqet nga qeveria e Kosovës, këtë proces do ta udhëheq unë. Në fushën e negociatave dhe dialogut, kam përvojë më shumë se secili nga kandidatët për kryeministër. Pasi ne si qeveri ta negociojmë dhe nënshkruajmë marrëveshjen me Serbinë, natyrisht në bashkëpunim gjatë gjithë kohës me Kuvendin e Kosovës dhe kur marrëveshja të ratifikohet në Kuvend, atëherë presidenti e ka vetëm një detyrë ceremoniale që ta vendosë nënshkrimin në dekretin për ratifikimin e marrëveshjes”, ka thënë në premtimet e saj në fushatë Vjosa Osmani.

Kandidati tjetër për kryeministër nga koalicioni AAK dhe PSD, Ramush Haradinaj, që dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe që gjatë qeverisjes së tij u vendos taksa 100% ndaj mallrave të Serbisë, thotë se ky vendim për taksën i ka treguar Serbisë që Kosova nuk hyn në dialog me kushte, ashtu siç po kërkon Serbia.

Haradinaj: Dialogu pa kushte

“Kosova dhe Serbia kanë nevojë për fqinjësi të mirë me njëra tjetrën. Ne jemi të gatshëm për këtë. Por, nuk jemi të gatshëm për rinënshtrim dhe për çfarëdo situate të dorës së dytë. Pra, vetëm si dy shtete si dy fqinje që kanë interesa. Këtë situatë kurrë më të qartë nuk e ka pasur Serbia dhe këtë ia ka treguar taksa”, thotë Ramush Haradinaj.

Ndërkohë, lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, thotë se në rast se zgjidhet kryeministër, fillimisht sipas tij, duhen rishqyrtuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun Kosovë-Serbi. Ai thotë se, në rast se zgjidhet kryeministër, me qeverinë e tij do ta formojë një ekip negociator ku do të shqyrtohet secila fushë.

Kurti: Duhet të rishqyrtohen të gjitha marrëveshjet

“Ne duhet ta krijojmë një ekip negociator, i cili duhet ta ketë strategjinë përkatëse dhe duhet t’i ketë edhe parimet e dialogut, në mënyrë që të mos krijohet një lloj kakofonie në këtë aspekt dhe natyrisht kjo nuk mund të bëhet menjëherë. Për këtë nevojitet një komision që e mbyll shpejt kapitullin e 33 marrëveshjeve të arritur në dialog, prej vitit 2012 deri 2017”, ka theksuar Albin Kurti.

Unitet të spektrit politik për dialogun e ardhshëm me Serbinë po kërkon kandidati i Nismës për kryeministër të Kosovës, Fatmir Limaj. Ai i kërkoi spektrit politik kosovar një unitet për t’iu qasur dialogut me Serbinë, një unitet, sipas të cilit kishte munguar në mandatin e kaluar të legjislativit.

Limaj kërkon unitet

“Të vetëdijshëm, se populli i Kosovës nuk e meriton që aleatët e Kosovës, ata që në momentet jetike kanë qëndruar pranë popullit tonë, të zhgënjehen nga mungesa e aftësisë institucionale që të miratohen e merren vendime në interes të ardhmërisë së vendit. Kuvendi i Kosovës miratoi platformën mbi bazën e të cilës duhej të ndërtohej një konsensus i përgjithshëm i pikëpamjeve tona politike për çështjen e dialogut me Serbinë”, shkroi Fatmir Limaj në një letër drejtuar gjithë spektrit politik.

Veseli ende pa qëndrim

E kandidati i PDK-së për kryeministër Kadri Veseli akoma në këtë fazë nuk ka dalë me ndonjë qëndrim për dialogun e ardhshëm më Serbinë në rast se zgjidhet kryeministër. Në këtë fazë të fushatës ai plotësisht është koncentruar në temën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Analistët politikë nga ana e tyre, thonë se ata nuk kanë parë ndonjë opsion të qartë në qasjen e kandidatëve për kryeministra karshi dialogut me Serbinë. Blerim Burjani analist politik i tha DW-së se të gjithë kandidatët për kryeministrër nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e partive të tyre. Prandaj asnjë nga kandidatët gjatë kësaj fushate nuk ka ofruar diçka esenciale që e lëviz dialogun në një kahje të duhur.

Analistët: Nuk ka ofertë konkrete

“Pa marrë parasysh se kush do të fitojë, atë e pret tema e dialogut që mund të ndikojë në jetëgjatësinë e qeverisë së ardhshme. Mendoj se është e domosdoshme që pas zgjedhjeve të krijohet një qeveri me një kryeministër kredibil, të guximshëm, të gatshëm për ndonjë zgjidhje përfundimtare. Kryeministri duhet të ketë një koalicion të shumicës në Kuvend, të ketë 80 vota për të aprovuar ndonjë marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi. E këtë unë mendoj, mund ta bëjë vetëm një koalicion i gjerë apo konsensus i gjerë i spektrit politik. Në të kundërtën është një sfidë e kalueshme”, thotë Blerim Burjani.

Vendet e QUINT-it, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova pezullimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe rifillimin e dialogut, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese ndaj të dyja palëve./DW

(Kosova Sot Online)