Shpërthen eksperti i së drejtës, alarmon rëndë drejtësinë kosovare

  • 30 September 2019 - 15:41
Shpërthen eksperti i së drejtës, alarmon rëndë drejtësinë kosovare

“Duhet ti lexojnë edhe këta që po trumbetojnë nëpër fushata. Pushtetet janë të ndara dhe saktësisht dihet se cili pushtet çfarë pune duhet kryer. Trumbetimet se do të luftohet korrupsioni me fjalë e me ligje të reja dhe institucione të reja, këto janë flluska para zgjedhore dhe propagande boshe”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e fushës së të drejtës, po i përcjellin me kujdes zhvillimet e fundit të ngjarjeve me të cilat po karakterizohet sistemi gjyqësor i Kosovës.

Arrestimi i Sali Berishës, gjyqtar i Gjykatës Themelore në Pejë dhe i Rafet Ismailit, gjyqtar i Gjykatës themelore në Skenderaj, sipas njohësve të kësaj fushe janë alarm serioz nga i cili duhet të zgjohen e këndellen KPK-ja dhe KGJK-ja, por edhe politikanët e Kosovës të cilat tash janë nisur në gjueti votash dhe fjalorin e tyre të fushatës e kanë plot premtime për sundim të ligjit, e besa edhe për Vetting në drejtësi.

Image
Hasan Preteni

Njohësi i kësaj fushe, Hasan Preteni thotë se tash është koha të lihen premtimet politike anash, dhe të veprohet seriozisht, pasi kupa ka filluar të derdhet ngase aferat në gjyqësor po vrapojnë fushës dhe po bëhen lajme spektakulare edhe për politiken edhe për sistemin gjyqësor e prokurorial.

“Këto gjëra duhet t’i lexojnë ish ministrat, e sidomos ky i fundit, duhet t’i lexoje edhe Lek Lumezi. Duhet t’i lexojnë edhe këta që po trumbetojnë nëpër fushata. Pushtetet janë të ndara dhe saktësisht dihet se cili pushtet çfarë pune duhet kryer. Trumbetimet se do të luftohet korrupsioni me fjalë e me ligje të reja dhe institucione të reja, këto janë flluska para zgjedhore dhe propagande boshe. Nuk ju beson askush, e këto premtime që i japin madje nuk i besojnë as ata që po i thonë”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”. 

Më tëj, Preteni thotë se për këtë nivel të korrupsionit në drejtësi kanë folur kaherë edhe miqtë ndërkombëtar, por ato paralajmërime janë injoruar.

“Këta nuk i dëgjojnë dhe nuk veprojnë as sipas sugjerimeve të miqve, nuk i lexojnë raportet e mekanizmave ndërkombëtare, nuk e lexojnë Raportin e Progresit dhe nuk lodhen duke e lexuar listën e Transparencës Ndërkombëtare ( TI)”, theksoi Preteni për “Kosova Sot Online.

E derisa këta të politikës dhe të institucioneve të drejtësisë i kanë injoruar këto paralajmërime për korrupsion në drejtësi, rastet shpërthyen dhe u kapën për preshi, thotë Hasan Preteni.

“Javën e kaluar u paraburgos një gjyqtar, Salih Berisha, (në Pejë), të enjten një tjetër në Skenderaj, Rafet Ismaili, u paraburgos edhe një polic hetues. E këta që thirren dhe paguhen për të luftuar, këta janë bërë edhe vet pjesë e së keqes. Nuk po ndalen edhe me paga të majme e jo ligjore por po kërkojnë ende. Pushtetet nuk janë llogaridhënëse, nuk lodhen për askënd. Veprojnë si të donë dhe për kënd të dëshirojnë. Dirigjohen nga politika dhe nga klanet para politike. Situata është e keqe,gati në anarki”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)