Vendet e Quintit me një mesazh të qartë: Nuk mbështesim asnjë subjekt apo individ në zgjedhje

  • 01 October 2019 - 19:14
Vendet e Quintit me një mesazh të qartë: Nuk mbështesim asnjë subjekt apo individ në zgjedhje

Ambasadorët e vendeve të Kuint-it, (Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara) përmes një deklarate kanë thënë se nuk përkrahin asnjë kandidat të veçantë, ose parti politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor në Kosovë.

“Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sygjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë”, thuhet në deklaratën e ambasadorëve të Kuintit.

Zgjedhjet, sipas tyre, janë mundësi vendimtare për qytetarët e Kosovës që të vendosin për drejtimin e shtetit. Mirëpo, ata theksojnë se zgjedhjet dhe formimi i qeverisë së re ofrojnë një mundësi për rifillimin urgjent të bisedimeve me Serbinë me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme, dhe ligjërisht të obligueshme, dhe që i kontribuon stabilitetit rajonal.

“Ju nxisim që të ngriteni mbi retorikën populliste dhe nacionaliste që nuk do t’i ndihmojnë Kosovës. Nga këto zgjedhje Kosova ka nevojë për udhëheqës me ide të detajuara për atë se si të përmbushen kërkesat e qytetarëve, dhe për një qeveri që mund të punojë me kredibilitet”, thuhet në deklaratë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 6 tetor, dhe vendet perëndimore disa herë kanë theksuar që presin vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është ndërprerë në nëntorin e vitit të kaluar.

Në deklaratë, vendet e Kuintit, theksojnë se për të arritur një marrëveshje, qeveria e ardhshme e Kosovës do të ketë nevojë për fleksibilitet për të negociuar, dhe aftësi për të artikuluar një vizion pozitiv për marrëdhënien e ardhshme të shtetit me Serbinë, dhe dobitë ekonomike dhe të sigurisë që ajo mund t’i sjellë Kosovës.

(Kosova Sot Online)