Zbulohen arsyet: Ja pse kandidatët për kryeministër i frikësohen ballafaqimit ballë për ballë

  • 02 October 2019 - 14:43
Zbulohen arsyet: Ja pse kandidatët për kryeministër i frikësohen ballafaqimit ballë për ballë

“Asnjë nga këta 5 kandidatë të cilët po i shohim për çdo ditë në fushata me masa qytetarësh e simpatizantësh të tyre politik, nuk janë të përgatitur fare për tema të mëdha. Këta mundë të flasin sikur që flasin disa nxënës të dobët në shkolla, kur përnjëherë e nisin me shpjegua mësimin dhe përnjëherë e përfundojnë me dy tre fjali sepse nuk dinë për të vazhduar”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit është duke shkuar drejtë fundit, dhe akoma nuk kemi një akordim të liderëve politikë pjesëmarrës në këto zgjedhje që po synojnë pozitën e kryeministrit, që të ulen në një tryezë publike dhe të debatojnë, për të sfiduar njëri-tjetrin me programin qeverisës të cilin do ta prezantonte secili për vete dhe për votuesit e Kosovës.

Analistët politikë konsiderojnë se mbyllja e fushatës zgjedhore pa një debat të tillë, do të jetë edhe një minus i madh për vetë pretendentët për pozitën e kryeministrit, dhe një zhgënjim e mos besim akoma më i madh nga qytetarët, qoftë për kandidatin e caktuar, qoftë edhe për subjektin politik si tërësi dhe listën kandiduese me emra deputetësh.

Sipas analistit dhe ekspertit të proceseve elektorale, Blerim Burjani, frika nga ballafaqimi nuk i qon askund këta kandidat që po vrapojnë gjithandej Kosovës në kërkim të votës, por vetëm sa do e dekurajojnë akoma më shumë qytetarin për të dalë në zgjedhje.

Image
Blerim Burjani

Sipas Burjanit, mundë të jetë vetëm frika nga zbardhja e të palarave dhe të aferave korruptive të atyre që qeverisën për 20 vite rresht, arsyeja kryesore që do ta pamundëson një ballafaqim të tillë të “elefantëve" pretendent për kryeministër të vendit, përndryshe nuk duhet të ketë asnjë pengesë tjetër.

“Nuk do të duhej të kishin ndonjë frikë nga ballafaqimi i drejtpërdrejtë një debat i tillë. Unë besoj që edhe sikur ai të organizohej, nuk do të sillte asgjë interesante përveç kureshtjes së medieve dhe qytetarëve për ti parë të gjithë me një tryezë apo debat, kush çka po thotë për disa tema që janë në interes të qytetarëve, sikur është çështja e dialogut me Serbinë, zhvillimi ekonomik, shëndetësia dhe arsimi”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas Burjanit, hezitimi i kandidatëve për kryeministër që të dalin së bashku në debat dhe të flasin për zgjidhjet që do ofrojnë për interesin qytetar, më shumë është pasojë e frikës së mos dijes së tyre, sepse është i sigurt që asnjë nga këta kandidat nuk është i mirë përgatitur që të flet e ballafaqohet me temat serioze që janë në interes të shtetit e të qytetarëve. 

“Jam i sigurt që në këto temat serioze asnjëri prej tyre nuk ka lidhje, sikur edhe në tema tjera të shumta të përditshmërisë së zakonshme me të cilat ballafaqohen qytetarët, me problemet aktuale, sepse këta nuk janë kandidatë që kanë bashkëjetuar dhe i kanë ndarë ato halle që i kanë qytetarët”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, shumica e temave do të mundë të bisedoheshin kot së koti, ngase me këta kandidat që janë nuk do të mundë të nxirren konkluza se çka mund të ndryshojnë këta në të ardhmen.

“Asnjë nga këta 5 kandidatë të cilët po i shohim për çdo ditë në fushata me masa qytetarësh e simpatizantësh të tyre politik, nuk janë të përgatitur fare për tema të mëdha. Këta mundë të flasin sikur që flasin disa nxënës të dobët në shkolla, kur përnjëherë e nisin me shpjegua mësimin dhe përnjëherë e përfundojnë me dy tre fjali sepse nuk dinë për të vazhduar. Po e them këtë me plot bindje se ne në Kosovë kemi vetëm politikan të zorit që nuk kanë kah me ia mbajt tjetër dhe aksidentalisht ka rastisur, kanë hyrë dhe po vazhdojnë me politikë. Pra janë njerëz që nuk kanë vlera specifike përveç se kanë dëshirë me u duke se janë të mençëm dhe kinse ata për gjithçka që ju kërkohet, japin zgjidhje e marrin vesh”, përfundoi analisti politik, Blerim Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)