Këshilli Shtetëror i Cilësisë: Vendimi i ENQA-s është brengosës, por jo befasues

  • 03 October 2019 - 12:22
Këshilli Shtetëror i Cilësisë: Vendimi i ENQA-s është brengosës, por jo befasues

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka reaguar pas vendimit për përjashtim të Kosovës nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Nga KSHC kanë deklaruar se ky është lajm brengosës, por, jo befasues.

“Vendimi i ENQA-s është brengosës por jo befasues. Ky vendim është i drejtë dhe reflekton problemet strukturore të AKA dhe trashëgiminë e lënë pas ndërhyrjeve të vazhdueshme politike në punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) vazhdimisht ka bërë publike shqetësimet rreth politizimit të procesit të akreditimit dhe cilësisë në arsimin e lartë në Republikën e Kosovës. KShC  thekson se akreditimi nuk është proces politik por profesional dhe i bazuar në standarde evropiane të cilësisë (ESG), sipas zonës evropiane të arsimit të lartë (EHEA)”, kështu thuhet në reagimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Tutje, theksohet se të gjeturat janë plotësisht korrekte dhe pasyqrojnë ndikimet e jashtme dhe të brendshme me të cilat përballet AKA që disa vite. 

“ KShC që në fillim të marrjes së mandatit, më saktësisht në prill të vitit 2018 deri më sot, ka vërejtur të gjitha të gjeturat e ENQA-s dhe aktualisht është duke i adresuar. Në këtë rrugëtim vendimmarrësit nuk kanë ofruar mbështetje domethënës, siç janë ndërhyrjet politike në akreditim, mungesa e drejtorit/es së AKA-s, ndryshime të shpeshta në Udhëzimin Administrativ për Akreditim si dhe interpretime ligjore kontratidktore nga instuticionet përkatëse. Theksojmë se procesi i akreditimit do të vazhdojë normalisht konform legjislacionit në fuqi. Jemi të shqetësuar se vendimi i ENQA-s largon Kosovën nga komuniteti i zonës evropiane të arsimit të lartë dhe vështirëson barasvlerësimin e diplomave të marra nga institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës në Evropë dhe gjetiu”, thuhet në këtë reagim.

Në fund të këtij reagimi, KSHC ka kërkuar që të arrihet një konsensus mbarë kombëtar për përmirësimin e gjendjes dhe adresimet e të gjitha të gjeturave të ENQA-s.

(Kosova Sot Online)