Përjashtimi nga ENQA/ Hoti e Bajrami fajësojnë PAN-in

  • 03 October 2019 - 13:42
Përjashtimi nga ENQA/ Hoti e Bajrami fajësojnë PAN-in

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Ai tha se ky është lajm i keq, për arsimin e lartë në Kosovë.

Sipas tij, shkarkimi i Bordit në mënyre jo ligjore dhe ndërhyrjet në menaxhmentin e kësaj agjencie janë arsyet kryesore të këtij vendimi të dëmshëm. 

“Do të duhet shumë angazhim për të kthyer prapa këtë vendim. Por, në ndërkohë do të pësojnë studentet dhe arsimi i lartë në përgjithësi, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndërsa kandidatja tjetër nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami vlerëson se vendimi ka ardhur për fajin e PAN-it.

“Përjashtimi i Kosovës nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) është lajmi më i keq për studentët dhe profesorët e vendit tonë. Vendimi ka ardhur për fajin e PAN-it. Për fajin e Ramush Haradinajt, Kadri Veselit, Fatmir Limajt e Behgjet Pacollit.”

Sipas saj, rikthimi i Kosovës në ENQA do të ndodhë shpejt, pasi me Vjosën Kryeministre arsimi s’do të shënoi regres të tillë. “Njëherë e mirë do të ndalet rrënimi i arsimit prej atyre që e rrënuan të ardhmen e rinisë” ka shkruar Bajrami në Facebook.

(Kosova Sot Online)