Pompeo kalon ditën në Podgoricë dhe Shkup – nuk e përmend Kosovën gjatë konferencave për media

  • 04 tetor 2019 - 18:10
Pompeo kalon ditën në Podgoricë dhe Shkup – nuk e përmend Kosovën gjatë konferencave për media

Shtetet e Bashkuara pëshëndesin angazhimin e Malit të Zi për të përballuar sfidat e përbashkëta, u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit duke veçuar shtimin e kontributit të Podgoricës në misionin e NATO-s në Afganistan.

“Kjo dëshmon më së miri ndarjen bashkarisht të përgjegjësive dhe për këtë ju përgëzojmë,” u shpreh zoti Pompeo.

Sekretari i Shtetit, Pompeo i bëri komentet gjatë ndalesës në Mal të Zi në kuadër të turneut të tij në Itali dhe në Ballkanin Perëndimor. Pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviç, Pompeo në një konferencë për shtyp vuri në dukje mbështetjen amerikane në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe luftës kundër korrupsionit dhe vlerësoi bashkëpunimin e të dy vendeve dhe luftën e përbashkët kundër rreziqeve të shekullit XXI.

“ShBA presin nga Mali i Zi dhe qeveria e tij në veçanti, të marrin një rol udhëheqës në përpjekjet rajonale kundër korrupsionit, përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe lirinë e mediave. Diplomatët tanë këtu janë të përkushtuar ndaj këtij misioni dhe do t’ju ndihmojnë ta realizoni si duhet”.

Sekretari amerikan, Mike Pompeu theksoi se duhet të punohet edhe më shumë në forcimin e sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave duke marrë si shembull rastin e sulmit ndaj gazetares malazeze Olivera Lakiç.

“Unë pata privilegjin të takoja Olivera Lakiçin, e cila mori çmimin Ndërkombëtar të dhënë nga Departamenti i Shtetit si Grua e Guximshme. Ajo është një gazetare malazeze që u qëllua sepse shkruante për kontrabandën e cigareve. Sulmet ndaj gazetarëve si ajo janë sulme ndaj demokracisë dhe parimeve të aleancës sonë,” tha Sekretari Pompeo.

Zoti Pompeo tha se SHBA janë krenare që vazhdojnë partneritetin me Malin e Zi, i cili është një vend i rëndësishëm për stabilitetin rajonal. Në këtë kuadër zyrtari i lartë amerikan përmendi marrëveshjen mes dy vendeve për blerjen e 36 milionë dollarësh pajisje ushtarake.

Ai gjithashtu nënvizoi bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mbështetjen amerikane në fushën e sigurisë kibernetike kundër sulmeve ruse.

Shefi i diplomacisë amerikane foli për lidhjen e pandashme mes qeverisjes së mirë dhe begatisë ekonomike:

“Qeverisja e mirë, llogaridhënia dhe transparenca kanë rëndësi kyçe për rritjen e vazhdueshme të turizmit dhe investimeve të drejtpërdrejta nga jashtë”.

Zoti Pompeo shprehu angazhimin për të ndihmuar Malin e Zi të tërheqë më shumë turistë e biznese amerikane.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, vizitën e sotme të sekretarit amerikan të shtetit në Mal të Zi e vlerësoi si historike. 

“Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në Mal të Zi është historike. Pas vizitës së Nënpresidentit Mike Pence, kjo është një tjetër dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe se SHBA vlerësojnë aleancën tonë dhe rolin konstruktiv në rajon. Kjo vizitë është një shenjë e angazhimit të SHBA në rajonin tonë, sigurinë, stabilitetin”, tha kryeministri Dusko Markoviç .

Kryeministri malazez, Dushko Markoviç vuri në dukje rëndësinë e ndarjes së balancuar të përgjegjësive me aleatët europianë në fushën e mbrojtjes.

“SHBA do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për institucionet tona, kurse ne do të vazhdojmë të japim një kontribut të unifikuar në misionet e paqes dhe stabilitetit,” tha zoti Markoviç.

Kryeministri Markoviç shprehu besimin se deri në vitin 2024, dhe ndoshta më herët, Mali i Zi do të arrijë një objektiv të dakorduar zakonisht prej dy për qind të GDP për shpenzimet e mbrojtjes.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo në takime të veçanta u prit nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe nga Ministri i jashtëm, Srgjan Darmaniviç.

Përveç në Mal të Zi, Pompeo ka realizuar vizitë edhe në Maqedoninë Veriore.

Pompeo u deklarua i bindur për miratimin e protokollit të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO nga senati amerikan dhe bëri thirrje të qarta për rezistencë nga ndikimet ruse dhe kineze. Ai përshëndeti marrëveshjen e Prespës dhe atë me Bullgarinë.

“I mirëpresim hapat që Qeveria juaj ka bërë për të luftuar korrupsionin dhe për të inkurajuar llogaridhënie më të madhe për secilin që ka abuzuar me besimin publik. Luftimi i korrupsionit është kritik për fillimin e negociatave me BE-në dhe anëtarësimin në NATO por edhe më e rëndësishme është për qytetarët tuaj. Një demokraci e fortë duhet të mbajë përgjegjësi për shqetësimet e opinionit dhe të ndërmarrë më shumë hapa për rezistencë dhe mbrojtje ndaj ndikimeve të dëmshme. Zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duhet të drejtojnë vendin tuaj përpara dhe jo ndikimet ruse në mediat sociale. Gjithashtu ju paralajmëroj për rrezikun e investimeve të kineze në sensin e teknologjisë dhe strategjinë e tyre për të siguruar marrëveshje infrastrukturore”-tha Majkëll Pompeo, sekretar shtetëror i SHBA-ve.

Pompeo fillimisht takoi Presidentin Stevo Pendarovski i cili vizitën e cilësoi si shumë të rëndësishme në një periudhë po ashtu të rëndësishme për proceset integruese të vendit. Kryeministri Zoran Zaev nga ana tjetër, në konferencën e përbashkët për media me sekretarin shtetëror amerikan deklaroi se vendi është i gatshëm të marrë përsipër angazhimet që do të burojnë nga anëtarësimi i plotë në NATO dhe se pret lajm të mirë nga Brukseli.

Jemi të gatshëm që me ritëm edhe më të ndjeshëm të marrim pjesë në të gjitha iniciativat globale për konfrontim me dezinformatat dhe kërcënimet e demokracisë. Me anëtarësimin tonë të plotë në NATO, angazhimi jonë në këtë drejtim do të marrë nxitje dhe dimension të fuqishëm. Anëtarësimi në NATO është vendimi jonë sovran për të cilën ka mbështetje mbipartiake dhe konsensus ndëretnik. Kjo për ne nënkupton arritjen e një qëllimi historik. Për dhjetë ditë e presim vendimin nga Brukseli, fillimin e negociatave për anëtarësim ne BE. Besoj se lajmi i mirë nga Brukseli do të ndikojë mirë në të gjithë rajonin”-pohoi Zoran Zaev, kryeministër.

“Vizita e sekretarit shtetëror të SHBA-ve Majkëll Pempeo në Ohër u shoqërua me masa të rrepta sigurie, forca të shtuara policore dhe regjim të veçantë lëvizjeje. Kjo është vizita e dytë e një sekretari shtetëror amerikan në vend që pas vizitës së Kolin Pauell në vitin 2001, në periudhën e konfliktit”.

Turneu i vizitave të Pompeut ka filluar në Itali dhe Mal të Zi kurse pas Maqedonisë së Veriut, ai do të vizitojë Greqinë. Kjo vizitë korrespondon edhe me shënimin e 25 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut.

(Kosova Sot Online)