Alarmi që “ngriti në këmbë” patrullat, gjendet 13-vjeçarja. Flet drejtori i policisë: Ishte duke pirë pije freskuese me disa shokë

  • 04 October 2019 - 19:34
Alarmi që “ngriti në këmbë” patrullat, gjendet 13-vjeçarja. Flet drejtori i policisë: Ishte duke pirë pije freskuese me disa shokë

Pas rreth katër orësh alarmi në familje, si dhe ngritjen në këmbë të policisë, është gjetur në një nga qendrat tregtare në Tiranë 13-vjeçarja që u raportua se ishte rrëmbyer.

Policia njoftoi më herët se ishte informuar për një rrëmbim, ndërsa edhe nëna e saj dëshmoi se një person e kishte marrë forcërisht poshtë pallatit në prani të motrës, i “kishte vënë diçka në gojë dhe e kishte futur në makinë”.

Por, në një komunikim me gazetaren e “Panorama”, Etleva Delia, Drejtori i Policisë Rebani Jaupi deklaroi se pas disa orësh kontrolli në të gjithë Tiranën, është gjetur në një lokal në kryeqytet, duke pirë një pije freskuese, me disa shokë e shoqe, duke hedhur poshtë se ishte një rrëmbim.

Ai është shprehur se kur e kanë gjetur vajzën, një pjesë e miqve të saj që kishin qenë me të në tavolinë, janë larguar pasi i ka kapur paniku. Pritet që vajza të merret në pyetje në prani të familjarëve dhe psikologes për të kuptuar se përse e ka bërë këtë veprim, si dhe kush ishte personi që njoftoi policinë.

(Kosova Sot Online)