Prokuroria, jep detaje për hyrjen e autobusëve serb në veri

  • 06 October 2019 - 11:27
Prokuroria, jep detaje për hyrjen e  autobusëve serb në veri

Në qendrën më të madhe në Veri të Mitrovicës ka pasur një numër të madh të votuesve.  Sipas mediave, po raportohet se atje kanë hyrë dhjetëra autobusë nga Serbia në Kosovë të mbushur plot me votues të një subjekti të caktuar politik. Mirëpo, një lajm të tillë e ka mohuar kryeprokurori në Mitrovicë, Shyqri Syla.

Ai për medie ka deklaruar se nga terreni nuk kanë marrë informacione nëse autobusë të tillë kanë hyrë në Kosovë.

“Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë prokurorët në terren. Deri më tash nuk kemi marrë ndonjë informatë se në Veri kanë hyrë autobus serb”.

E në gjithë Kosovën janë hapur sot 895 qendra votimi me rreth 2000 vendvotime, derisa numri i votuesve është 1 milion e 937 mijë e 868.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të kujdesen e Policia dhe Prokuroria e Shtetit, institucione këto me të cilat KQZ-ja bashkëpunon përherë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Mes tyre, 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur. E këto subjekte politike janë shqiptare, serbe, boshnjake, turke gorane, ashkalinje, rome dhe egjiptiane.

Ndërsa në këto zgjedhje, postin e kryeministrit po e synojnë 7 kandidatë nga subjekte të ndryshme politike.

(Kosova Sot Online)