Siriani vjedh kamionin dhe godet 8 vetura në Gjermani, 8 të lënduar

  • 08 October 2019 - 13:29
Siriani vjedh kamionin dhe godet 8 vetura në Gjermani, 8 të lënduar

Autoritetet gjermane janë duke e hetuar një burrë sirian, i cili e vodhi një kamion dhe me të e goditi një kolonë veturash në Limburg të Gjermanisë perëndimore. Në këtë incident u lënduan tetë persona.

Burri 32 vjeç e kishte nxjerrë me dhunë nga kamioni vozitësin në kohën kur në semafor ishte e ndezur drita e kuqe, ndërsa më vonë e përdori automjetin e rëndë për t’i goditur tetë vetura, të cilat ishin ndalur në semafor afër stacionit qendror të trenit. Incidenti ndodhi të hënën rreth orës 5 e 20 minuta pasdite.

Policia e arrestoi burrin me shtetësi siriane, i identifikuar nga televizioni publik gjerman me emrin Omar A.I.

Disa medie gjermane kanë raportuar se autoritet besojnë që incidenti mund të ketë pasur prapavijë terroriste. Megjithatë, një zëdhënës i prokurorisë së përgjithshme në Frankfurt tha se autoritetet ende nuk mund ta konfirmojnë qëllimin e sulmit dhe se janë duke e hetuar rastin.

Sipas një agjencie të lajmeve, personi i dyshuar ka jetuar në Gjermani nga viti 2015 dhe ka qenë i njohur për policinë për shkak të disa shkeljeve që i ka bërë në të kaluarën, përfshirë posedimin e drogës dhe vjedhjen.

Megjithatë, personi i arrestuar duket se nuk ka lidhje me qarqet ekstremiste, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)