“Mashtrimet për korrigjimin e kufirit”, ja çfarë kërkojnë tash malazezët nga kosovarët...

  • 08 October 2019 - 16:58
 “Mashtrimet për korrigjimin e kufirit”, ja çfarë kërkojnë tash malazezët nga kosovarët...

Shteti fqinj, Mali i Zi ka kërkuar rrënimin e staneve të kosovarëve, pasi sipas raportimeve në media, kjo gjë po bëhet me qëllim të ndërtimit të një qendre skijimi.

Sipas medieve shteti malazez iu ka dhënë ultimatum banorëve dhe pronarëve të staneve në bjeshkën e Ishtedimit që i kanë shfrytëzuar deri më tani që t’i rrënojnë vullnetarisht ato, në të kundërtën do t’i rrënojnë vetë autoritetet malazeze.

Në lidhje me këtë temë për "Kosova Sot Online", foli analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Ai tha se nuk e beson se shteti malazez e shfrytëzon situatën politike në Kosovë për thirrjen që e ka bërë autoriteteve malazeze për rrëzimin e staneve.

"Nuk e shohë se Mali i Zi po e shfrytëzon situatën e brishtë politike në vend sa i përket mungesës së një qeveri me legjitimitet kur tani jemi dy ditë para votimeve dhe ultimatumit nga qeveria malazeze drejtuar pronarëve të staneve që ta bëjnë rrënimin e staneve në bjeshkët që tashmë më demarkimin e kufirit I takojnë shtetit malazez. E them këtë për arsyen se kjo çështje, pra demarkacioni Kosovë-Mali i zi, për Podgoricën zyrtare është punë e kryer, pa marr parasysh mashtrimet e ish-kryeministrit Haradinaj se do të bëjë korrigjimin e “gabimeve” me demarkimin e kufirit", tha Haziri për "Kosova Sot Online". 

Sipas tij, Haradinaj heshtë sepse nuk ka vend më për mashtrimet e tij deri sa pala malazeze po zbaton marrëveshjen e arritur.

"Ajo që unë mendoj se duhet bërë apo kërkuar nga institucionet në detyre të Kosovës, është që të kërkohet nga Podgorica zyrtare që ky rrënim i këtyre staneve të bëhet në marrëveshje me pronarët shqiptar dhe të jenë të zbatueshme të gjitha të drejtat e pronarëve shqiptarë në pjesën që i takon Malit të Zi, ashtu siç e parashohin edhe konventat ndërkombëtare mbi pronën, pavarësisht se tani gjenden në pjesën e shtetit malazez", tha Haziri për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)