Skenari i ri: Kështu Vetëvendosje mund ta krijojë qeverinë pa LDK-në, por...

  • 09 October 2019 - 15:13
Skenari i ri: Kështu Vetëvendosje mund ta krijojë qeverinë pa LDK-në, por...

“LVV qeverinë mund ta formoje vetëm me AAK-në dhe minoritetet, por gjithmonë do të ishte e varur nga votat e serbëve, gjë që do t'i shkaktonte shumë probleme me kushtëzimet e tyre. Prandaj është më se e nevojshme dhe e domosdoshme krijimi i Qeverisë mes LVV dhe LDK-së”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Ndonëse akoma nuk është qartësuar pozicioni i dy partive politike fituese të zgjedhjeve LDK dhe Vetëvendosje, nëse do ta mbajnë fjalën që të bashkohen në koalicion qeverisës pas zgjedhor, edhe pse në zgjedhje shkuan ndaras, analistët politikë po e përcjellin këtë situatë, duke kërkuar që koalicioni i ri qeverisë të ndërtohet me numër më të vogël të dikastereve ministrore, aq më tepër kur dihet se edhe partitë politike fituese të zgjedhjeve, LDK dhe VV-ja janë zotuar për një veprim të tillë.

Analisti politik, Faik Krasniqi tha për “Kosova Sot Online” se pret që këto dy subjekte politike ta mbajnë zotimin edhe për premtimin e koalicionit paszgjedhor, por edhe për reduktimin e dikastereve ministrore, pasi ky premtim dhe zotim i fundit, është dhënë edhe nga subjekte të tjera politike.

Image
Faik Krasniqi

Sipas Krasniqit, arsyet për tu përplasur për pozitën e kryeministrit, në mes të LDK-së dhe VV-së nuk ekzistojnë, pasi këtë pozitë e qartëson numri i votave.

“Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve dhe i takon posti i kryeministrit. Edhe LDK sikur t'i fitonte zgjedhjet do t'i takonte ky post, dhe kjo është më se normale. Do të ishte e pa ndershme nga ana e LDK-së nëse këmbëngul në postin e kryeministrit. Nëse LDK këmbëngul për këtë post, e dëshmon veten që nuk do koalicion me LVV-në, por është e interesuar për një koalicion me PDK-në, gjë që nuk ndodhë sepse me ligj qeverinë mundë ta krijoj vetëm fituesi i zgjedhjeve, gjë që në këtë rast është LVV-ja”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, gjithçka tani shkon në drejtimin e duhur për krijimin e qeverisë së re VV-LDK, dhe s'do të kishte tjetër arsye që mos të krijohej një qeveri mes LVV-LDK.

Ajo që lë akoma dilema te analisti Krasniqi, është qëndrimi jo shumë i qartë tek LDK-ja. 

“Albin Kurti nga sheshi deklaroi që do t'i trokas LDK-së për të krijuar Qeverinë. Por LDK-së gjithmonë i frikohemi në lojërat e saj. Shpesh herë din të jetë edhe e pa besë”, theksoi analisti Faik Krasniqi. Ai thotë se nuk do të ishte fare në interes që të ndiqen praktikat e kaluara për formimin e qeverisë me parti të vogla dhe minoritetet, që do të kushtëzohej pastaj edhe me numrin e fryrë të ministrive të pa nevojshme.

“LVV qeverinë mund ta formoje vetëm me AAK-në dhe minoritetet, por gjithmonë do të ishte e varur nga votat e serbe, gjë që do t'i shkaktonte shumë probleme me kushtëzimet e tyre. Prandaj është më se e nevojshme dhe e domosdoshme krijimi i Qeverisë mes LVV dhe LDK-së. Nëse këto dyja bëjnë koalicion, s'ka pse ta marrin edhe AAK në Qeveri. Përndryshe zvogëlimi i qeverisë ka qenë premtim i gati të gjitha partive politike. Se a do e mbajnë premtimin, kjo mbetet të shihet. Unë besoj që z. Kurti do e mbajë atë premtim”, përfundoi Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)