Fitorja e VV-së, a do të shkarkohet Hashim Thaçi?

  • 10 October 2019 - 07:48
Fitorja e VV-së, a do të shkarkohet Hashim Thaçi?

“Vetëm nëse Gjykata Kushtetuese e jep opinionin pozitiv, gjykimin, Presidenti mundë të shkarkohet nga pozita. Në rastet e tilla duhen 2/3 e votave të deputetëve për të votuar shkarkimin, sikur në rastin e votimit për ta zgjedhur. Pa një verdikt paraprak të Gjykatës Kushtetuese nuk mundë të shkarkohet Presidenti”, tha profesor Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistëve politikë, rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit është edhe një alarm serioz për Hashim Thaçin, pasi subjektet politike opozitare të mandatit të kaluar, LDK dhe VV-ja, janë zotuar që me ta marr mandatin qeverisës, një nga veprimet që do të ndërmerren do të jetë shkarkimi i Hashim Thaçit nga detyra, për shkak të tentativës për pazare me Serbin për ndryshim kufijsh në dëm të shtetit të Kosovës.

Tani pasi kanë përfunduar zgjedhjet dhe fitues janë dy subjektet më të mëdha politike të ish opozitës, çështja nga analistët shtrohet se a do ta kenë fuqinë që ta shkarkojnë Hashim Thaçin nga ajo pozitë, kur dihet tani më ashiqare se Hashim Thaçi është në panik nga një ‘goditje’ që i vjen atij me këtë rezultat zgjedhor dhe me PDK-në në opozitë.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas profesorit të së drejtës, Muhamet Kelmendit, për shkarkimin e presidentit janë të përcaktuara qartë të gjitha rrugët ligjore e kushtetuese, dhe nuk ka mundësi tjetër që të realizohet ai qëllim, me një përjashtim të vetëm kur qytetarët ngrihen në revoltë, protestë politike dhe e detyrojnë atë të tërhiqet.

“Shkarkimi i Presidentit të Kosovës është juridikisht i mundshëm. Por, për atë janë disa kushte të përcaktuara me Kushtetutë të cilat duhet plotësuar, në mënyrë që të shkarkohet. Me Kushtetutë janë përcaktuar taksativisht shkaqet e shkarkimit dhe duhet vepruar gjithnjë sipas tyre”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Ai ka kujtuar se sipas Kushtetutës, presidenti mundë ta humbi pozitën nëse vdes, nëse kërkohet me arsyetim mjekësor lirimi i tij nga pozita për shkak të pamundësisë shëndetësore për ta kryer detyrë, dhe në rastin tjetër është nëse i pari i shtetit bënë vepër penale dhe burgoset.

Kelmendi thekson se rol të veçantë këtu, ka legjislativi dhe qytetarët që mundë të kërkojnë shkarkimin e kreut të shtetit nëpërmes të peticionit i cili arsyetohet dhe dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Me paraqitjen e një peticioni nga 1/3 e deputeteve duhet vepruar duke treguar shkeljet e rënda kushtetuese të shkeljeve. Këtë peticion ia dërgon Kuvendi Gjykatës Kushtetuese për të vendosur se a janë shkeljet kushtetuese të denoncuara të qëndrueshme edhe sipas vlerësimit të Gjykatës. Vetëm nëse Gjykata Kushtetuese e jep opinionin pozitiv, gjykimin, Presidenti mundë të shkarkohet nga pozita. Në rastet e tilla duhen 2/3 e votave të deputetëve për të votuar shkarkimin, sikur në rastin e votimit për ta zgjedhur. Pa një verdikt paraprak të Gjykatës Kushtetuese nuk mundë të shkarkohet Presidenti”, tha profesor Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se kur është fjala tek marrja e kompetencave për çështje të caktuara, që nuk i takojnë t’i ushtrojë ato, atëherë kjo bëhet më lehtë me vendim politik.

“Kur është çështja te kompetencat ajo është çështje tjetër. Natyrisht se vetë fakti se është nga një tjetër parti politike kërkohen pajtime politike që duhet të bëhen, arrihen në mes të pushtetarëve në Kosovë. Kjo mundë ta dërgon çështjen deri edhe te konflikti, ose mundë të veprohet edhe me protesta dhe demonstrata të mëdha në vend”, përfundoi profesor Muhamet Kelmendi për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)