Vjen akuza e rëndë kundër PAN-it dhe Shpend Ahmetit

  • 10 October 2019 - 15:10
Vjen akuza e rëndë kundër PAN-it dhe Shpend Ahmetit

“Për këtë koalicion, AAK-PSD, mbetja pa pushtet është diçka tragjike, pasi nënkupton edhe pamundësinë e tyre për të zhvatur akoma buxhetin e shtetit me projekte tërësisht të korruptuara nga të cilat projekte sa ishin në qeverisje zhvatën miliona euro”, tha Haziri për “Kosova Sot Online".

Asnjë ankesë e vetme, e natyrës serioze që hedh dyshim në rezultatin e zgjedhjeve, nuk është shënuar ditën e votimit, më 6 tetor.

Mirëpo hilja dhe sherri i partive politike ka plasur pas marrjes së informacioneve të detajuara për rezultatet e veçanta, secili subjekt politik për votat e veta dhe atëherë ka filluar kontestimi dhe pakënaqësia.

Madje, edhe pse PZAP, brenda orësh i ka hedhur një ditë më parë si të pa bazuar të gjitha ankesat e partive politike, kryesisht ato janë drejtuar nga PDK, dhe tre ish partnerët e deri djeshëm në qeverisje AAK-ja me PSD-në, AKR dhe Nisma, këta dërguar ankesë edhe në Gjykatën Supreme.

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri e konsideron se është votuesi sovran ai që i ka ndëshkuar, kurse procesi zgjedhor mori notën më të mirë të mundshme të vlerësimit, fillimisht nga vetë subjektet politike garuese në zgjedhje, e më pastaj edhe nga vëzhguesit ndërkombëtar dhe nga shtetet në fqinjësi që ia patën lakminë qetësisë dhe kulturës qytetare të treguar në ditën e zgjedhjeve.

“Është në natyrën e humbësit që të mundohet ta kontestoj rezultatin edhe kur ai është i qartë dhe i vërtetuar. Mbase këto arsyetime dhe kërkesa nga partitë e ish-koalicionit PANA, vijnë edhe për arsye partiake të brendshme të tyre, dhe për të kërkuar një lloj viktimizimi para anëtarësive të tyre”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Haziri thotë se nëse veç e kemi pranuar demokracinë dhe garën e hapur duke kërkuar besimin qytetar, atëherë është e rrugës që pa vonesë edhe humbësit e këtyre zgjedhjeve ta pranojnë realitetin, dhe të përgatiten për opozitë serioze e konstruktive. 

“Sa do që të jetë e hidhur për ta debakli që pësuan me 6 tetor, pranimi I rezultatit dhe bërja gati për opozitë, do i bënte mirë së pari vetë këtyre partive politike, e më pas është e shëndetshme edhe për demokracinë në vend e cila tani e tutje duhet të konsolidohet shumë më fuqishëm pas një procesi zgjedhor të lirë dhe demokrati”, tha analisti Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, është krejtësisht e pa drejtë dhe e pamoralshme kërkesa për rinumërim të votave, nga ata që janë të lidhur me krimin dhe me Devollët, e për të cilin shkak edhe janë ndëshkuar nga qytetari.

“Kërkesa për rinumërim të votave nga koalicioni devollist AAK-PSD, është edhe një përpjekje dëshpëruese e këtij koalicioni, dhe më shumë është diçka sa për të thënë apo treguar se me gjithë turpërimin që e morën nga zgjedhjet e 6 tetorit, ata akoma mund të dëgjohen e të bëjnë zhurmë, por edhe një lloj presioni duke e luajtur “tigrin prej letre” që është në funksion të dëshirës së tyre për të qenë mundësisht pjesë e koalicionit qeveritar në mes VV-së dhe LDK-së. Për këtë koalicion, AAK-PSD, mbetja pa pushtet është diçka tragjike, pasi nënkupton edhe pamundësinë e tyre për të zhvatur akoma buxhetin e shtetit me projekte tërësisht të korruptuara nga të cilat projekte sa ishin në qeverisje zhvatën miliona euro”, përfundoi Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)