E zbulon Krasniqi: Ja pse po ankohen humbësit e 6 tetorit

  • 10 October 2019 - 19:00
E zbulon Krasniqi: Ja pse po ankohen humbësit e 6 tetorit

“Kjo është edhe arsyeja e gjithë kësaj zhurme, sepse këta që e kishin pushtetin deri dje, janë mësuar qe dy dekada të vjedhin dhe të zhvatin paranë publike. Janë mësuar që institucionet publike t'i mbushin me familjare, miq e të afërm”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

 

Edhe pse procesi zgjedhor i zgjedhjeve të 6 tetorit është vlerësuar pozitivisht, ndër më të rregulltit dhe pa asnjë vërejtje serioze në rrjedhën e tij, jo vetëm nga organizatat vendore, por edhe ato ndërkombëtare, partitë humbëse të këtyre zgjedhjeve kanë paraqitur ankesat e tyre në PZAP. 

Në rrethin e parë të ankesave janë shqyrtuar dhe konstatuar të pa baza të gjitha ankesat e paraqitura nga PDK, LDK, AAK-PSD dhe NISM-AAKR. 

Mirëpo, partitë humbëse të mëdha të këtyre zgjedhjeve, koalicionet e vogla, AAK-PSD dhe NISMA-AKR, kanë paralajmëruar ankesë edhe në Gjykatën Supreme. 

Këtë lojë të fundit që po e luajnë tani këto parti politike humbëse të zgjedhjeve, të ndëshkuara nga qytetari, sipas analistëve politikë po e luajnë lojën e pa ndershme dhe aspak demokratike, ngase ndëshkimi i sovranit nuk mundë të zhbëhet me ankesë në institucionet e vlerësimit të procesit, të cilat veç e kanë thënë fjalën e tyre për rrjedhën shembullore të ditës së zgjedhjeve. 

Image
Faik Krasniqi

Analisti politik, Faik Krasniqi tha për “Kosova Sot Online” se kjo përpjekje e kontestimit të rezultatit, dhe vrapi pas ankesave të një pas njëshme, është logjika e humbësit i cili provon të përfitojë në kohë si ngushëllim dhe asgjë tjetër.

“Humbësit gjithmonë kanë për të thënë diçka. Asnjë parti që e ka shijuar pushtetin, nuk po mund të pajtohet dot që LVV-ja ka fituar dhe Albin Kurti do të bëhet kryeministër. Kjo është edhe arsyeja e gjithë kësaj zhurme, sepse këta që e kishin pushtetin deri dje, janë mësuar qe dy dekada të vjedhin dhe të zhvatin paranë publike. Janë mësuar që institucionet publike t'i mbushin me familjare, miq e të afërm”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Krasniqi, humbësit nuk po mundë të pajtohen që së paku të mos kenë ulëse edhe në Kuvend, sepse nga aty mundë të ndikojnë që t’i ruajnë interesat e tyre pak a shumë, dhe të vazhdojnë ashtu t’i ruajnë lidhjet me rrjetet kriminale, kundër të cilave është zotuar të shpallë luftë qeveria e re Kurti. 

“Në bazë të asaj se si e njohim Albinin, këto dukuri negative do të marrin fund. Kërkesa e humbësve për rinumërim të votave në nivel vendi, ishte kërkesa më absurde dhe e pabazuar. Më shumë ishte kërkesë që të shfajësohen para elektoratit për dështim. Por PZAP-i e hodhi poshtë një kërkesë të tillë: Nuk ka rinumërim të votave”, tha analisti Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)