PDK e feston 20-vjetorin në opozitë

  • 10 tetor 2019 - 20:35
PDK e feston 20-vjetorin në opozitë

Partia Demokratike e Kosovës, sot e feston 20-vjetorin e themelimit të saj. Kjo parti pas zgjedhjeve të 6 tetorit gjendet në opozitë, sipas Veselit, dhe do të vazhdojë t’i shërbejë shtetit. PDK’ja mori vetëm 21% të votave, derisa VV’ja doli e para me 20.5% e LDK’ja e dyta 24.8%.

“Partia Demokratike e Kosovës sot shënon 20 vjet të themelimit të saj, një rrugëtim ky i jashtëzakonshëm për vendin dhe për qytetarët tanë. Si bartëse e proceseve më të rëndësishme në vend – lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit, Partia Demokratike e Kosovës ka lënë shenjat e saj të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Si krijuese e projekteve të mëdha për vendin, e përkushtuar për ndryshime rrënjësore dhe me një energji shembullore, me njerëz të ndershëm që kanë dhënë kontribut aq shumë të çmuar, si dhe me shumë të reja e të rinj, Partia Demokratike e Kosovës ka transformuar Kosovën dhe veten, duke e bërë secilin të ndjehet krenar”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Tutje, Veseli tha se PDK’ja ka qenë dhe do të mbetet garantuese e stabilitetit të shtetit të Kosovës dhe partneritetit të palëkundur me SHBA’në dhe Bashkimin Europian.

“Ky 20 vjetor e gjen Partinë Demokratike në një rol të ri, si lidere opozitare, por gjithmonë në shërbim të kombit dhe shtetit. Urime të gjitha strukturave, anëtarëve dhe mbështetësve, veçanërisht themeluesve, dhe falemnderit nga zemra për përkrahjen e dashurinë ndaj Partisë Demokratike të Kosovës. Bashkë, do të ecim tutje, edhe më të fuqishëm!”, përfundon Veseli.

(Kosova Sot Online)