Ja kush e thotë: Ky është skenari i rrezikshëm që e ka përgatitur SHIK-u për LDK-në dhe VV-në

  • 14 tetor 2019 - 07:54
Ja kush e thotë: Ky është skenari i rrezikshëm që e ka përgatitur SHIK-u për LDK-në dhe VV-në

“Ngrirja e një anshme e negociatave nga LDK me VV-në, mund të jetë një skenar i paramenduar nga PDK-ja dhe SHIK-u në pritje për ta kaluar eventualisht pragun edhe koalicioni NISMA –AKR , dhe për ta mashtruar LDK-në me pozitën e kryeministrit, që të ndërtohet koalicioni i treshes LDK-PDK- nisma dhe përsëri të tradhtohet Vetëvendosje duke mbetur në opozitë së bashku me AAK-në”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Pas vendimit të kryesisë së LDK-së, për ti ngrirë negociatat me Vetëvendosjen për koalicionin deri sa të numërohen të gjitha votat dhe të shpallen rezultatet, ka krijuar dilema dhe pikëpyetje të mëdha tek analistët politik, nëse vërtetë deklarimi për koalicion mes këtyre dy subjekteve politike është serioz, apo ishte vetëm farsë paraelektorale dhe po ashtu farsë afatshkurtër për disa ditë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Image
Florim Zeqa

Analisti politik, Florim Zeqa, këtë lojë të LDK-së e sheh me mjaft rrezik që mundë të sjell krejtësisht deri te dështimi i përpjekjeve të para për ndërtimin e koalicionit me VV-në, koalicion i cili po shihet si e vetmja mundësi për disa ndryshime pozitive, edhe nga ana e shumicës së qytetarëve.

Analisti Zeqa shprehë dyshimin se pas vendimit të kryesisë së LDK-së, një proces tjetër manipulimi me vota mundë të zhvillohet edhe në KQZ, dhe kështu të vij deri te përmbysja e rezultatit dhe pasojat e pa parashikueshme.

“Vendimi i kryesisë së LDK-së, i ditës së premte, për ti ngrirë negociatat me Vetëvendosjen për koalicionin deri në sat ë numërohen të gjitha votat dhe të shpallen rezultatet është vendim i influencuar nga ata që emëruan në minutat e fundit Vjosa Osmanin për kryeministre të vendit. Personaliteti i zonjës Vjosa Osmani nga klanorët në majat e LDK-së, më shumë është përdorur si instrument për grumbullim të votave dhe për t'i shpëtuar ndëshkimit të elektoratit (si pasojë e procesit të deformuar zgjedhor partiak) sesa që ishte përpjekje serioze për ti fituar zgjedhjet në nivel vendi. Kur dallimi në vota mes LVV-së dhe LDK-së është në nuanca shumë të vogla, kanë filluar edhe manipulimet me rezultate në KQZ, me kinse rinumërimin e votave në mbi 300 vendvotime. Kur kësaj i shtohen votat me kusht dhe votat nga Diaspora, mundësia e përmbysjes së rezultatit zgjedhor rritet akoma më shumë shkaku i pazareve të pista mes partnerëve të vjetër”, shtoi analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, nëse ndodhë ndonjë manipulim që po pritet me frikë edhe nga disa parti politike, vendi mundë të shkojë në krizë dhe destabilizim të rrezikshëm, sepse qytetarët mundë të reagojnë kundër këtyre lojërave me votën e tyre.

“Përmbysja eventuale e rezultatit zgjedhor nga KQZ-ja do ta fusë vendin në një krizë të thellë politike, të ngjashme me atë të vitit 2014, të kohës së VLAN-it e cila e pati lënë Kosovën rreth 6 muaj pa qeveri dhe Kuvend, deri tek vendimi i arbitrit që ishte Gjykata Kushtetuese. Ngrirja e një anshme e negociatave nga LDK me VV-në, mund të jetë një skenar i paramenduar nga PDK-ja dhe SHIK-u në pritje për ta kaluar eventualisht pragun edhe koalicioni NISMA –AKR, dhe për ta mashtruar LDK-në me pozitën e kryeministrit, që të ndërtohet koalicioni i treshes LDK-PDK- nisma dhe përsëri të tradhtohet Vetëvendosje duke mbetur në opozitë së bashku me AAK-në”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Florim Zeqa, edhe deklarimi kontrovers i kreut të degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliut, lë shumë hapësirë për të dyshuar në sinqeritetin e LDK-së, një lojë e pa ndershme që më së shumti do t’i kushtetonte në personalitetin dhe besimin e krijuar tek qytetarët, kandidates për kryeministër nga LDK, Vjosa Osmanit, e cila tani ka zënë e ka ra në heshtje.

“Zërat kundërshtues për koalicionin e mundshëm LVV-LDK, sikur është Agim Veliu nga dega e Podujevës e të tjerë, janë tregues që Vjosa Osmani, edhe pse më e votuara, është e fundit që vendos në LDK. Heshtja e Vjosës përballë realitetit të krijuar mund t'i kushtojë asaj me humbje të imazhit dhe kredibilitetit të arritur nga zgjedhjet e 6 tetorit. Vjosa Osmani në rrugëtimin e saj politik drejt kreut të ekzekutivit duhet të dëshmohet që është produkt i vullnetit të elektoratit e jo produkt i matrapazëve politikë, në të kundërtën e ka të garantuar theqafjen politike bashkë me klanorët në majat e LDK-së”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)