Kullat e Jasharëve gati të shembën, vonohet projekti

  • 14 October 2019 - 16:24
Kullat e Jasharëve gati të shembën, vonohet projekti

84 deputetë, më 18 dhjetor të vitit të kaluar, votuan Ligjin për Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz. Me miratimin e këtij ligji, u hap rruga e ndërhyrjes në këtë kompleks, konkretisht restaurimin dhe konservimin e kullave, që rrezikoheshin të shemben. Por, gjendja e kësaj shtëpie të qëndresës, ende është po njësoj.

Më pas u formua edhe Komiteti Ndërministror, i udhëhequr nga ish- zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, me 40 anëtarë të tjerë, përfshirë kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jasharin njëherit përfaqësues i Familjes Jashari, por edhe drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve, Bislim Zogaj.

Derisa, ishin ndarë hiq më pak se 45 tenderë, ndërsa 500 mijë euro janë shpenzuar për projektin slloven, projekt ky që më pas u tha se nuk plotëson kushtet për jetësim.

 

Jo vetëm për shkak të këtyre procedurave të vonuara, por Bislim Zogaj, drejtor i AMKMK-së, ka thënë për indeksonline se edhe formimi i qeverisë së re, vazhdon ta lënë pezull projektin në fjalë.

“Komiteti ka mbajtur disa takime, por pak jemi vonuar rreth projektit, për shkak se jemi vonu në procedura. Ndërsa tani, qeveria nuk ka drejtë me marr vendime. Pas themelimit të qeverisë së re, do të përcaktohet nëse do të vazhdohet me atë komitet që ka qenë apo do ta caktojnë një tjetër. Ky projekt që e kemi paraparë që do të kushtojë 6 milionë euro, për momentin ka mbet pezull dhe në një far mënyrë është pa person kompetent për me jep përgjigje. Ne si agjension do ta vazhdojmë punën dhe do të kujdesemi. Gjatë kësaj periudhe nuk ka ndonjë dëmtim, situata është njësoj si para një viti, s’ka diçka që duhet të na shqetësojë, por që projekti duhet të përfundojë sa më parë”, ka thënë Zogaj.

Ai tutje ka shtuar se për shkak të nevojave dhe kërkesave të mëdha të vizitorëve ata kanë hapur edhe një konkurs edhe për dy ciceronë, por çka se ky konkurs është anuluar.

“Momentalisht janë dy ciceronë, që janë të pamjaftueshëm. Kemi hap edhe një konkurs për dy të tjerë, por që nuk ka apliku askush. Më pas e kemi shty sipas ligjit, kanë aplikuar vetëm dy, njëri nuk i ka plotësuar kushtet, ndërsa me një nuk është mundur të vazhdohet procedura.”

Kujtojmë që, Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, prej njëzet vjetësh është shndërruar në vendin më të vizituar në Kosovë. Miliona vizitorë e kanë prekur nga afër historinë e pashembullt të familjes Jashari.

(Kosova Sot Online)